Ermal Krasniqi ka vazhduar me paraqitje të shkëlqyera në futbollin turk, duke u përfshirë në formacionin më të mirë të xhiros së pestë të kampionatit.
Futbollisti kosovar ishte ndër protagonistët kryesorë në fitoren bindëse të Amedsporit, që triumfoi me rezultat të thellë 5-0 në shtëpi ndaj Istanbul Basaksehirit.
Ajo që e bën edhe më të veçantë paraqitjen e Krasniqit është fakti se 28-vjeçari u aktivizua në një rol jo të zakonshëm për të, si mbrojtës i krahut të djathtë. Megjithatë, pozita e re nuk e pengoi aspak që të ishte një nga lojtarët më të dalluar në fushë.
Krasniqi dha dy asistime, duke qenë vendimtar në dy prej golave të Amedsporit. Ai shërbeu Gift Orbanin për golin e tretë dhe të katërt, duke dëshmuar edhe një herë aftësitë e tij në fazën ofensive.
Paraqitja e tij u vlerësua maksimalisht edhe nga platforma e statistikave Sofascore, e cila i dha notën 9.0. Ky vlerësim i lartë i siguroi Krasniqit një vend në formacionin më të mirë të xhiros së pestë.
Në këtë fitore të Amedsporit spikati edhe një tjetër futbollist kosovar, Lumbardh Dellova. Mbrojtësi zhvilloi një ndeshje të sigurt në repartin defensiv dhe ndihmoi skuadrën të përfundonte takimin pa pranuar gol.
Kështu, dyshja kosovare Krasniqi-Dellova patën një rol të rëndësishëm në fitoren e thellë të Amedsporit, ndërsa paraqitja e Krasniqit u shpërblye edhe me përfshirjen në 11-shen më të mirë të javës.





