Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Ron Raçi, po vazhdon të lërë gjurmë në elitën e futbollit kroat me fanellën e Hajduk Splitit.
23-vjeçari pati një tjetër paraqitje mbresëlënëse në fitoren minimale 1-0 të Hajdukut ndaj Slaven Belupos, duke qenë një prej figurave kryesore në prapavijën e skuadrës nga Spliti.
Raçi zhvilloi një ndeshje të sigurt dhe pothuajse të pakalueshme në mbrojtje, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e epërsisë së krijuar nga Hajduku që në minutën e 22-të.
Paraqitja e tij u vlerësua edhe nga platforma e njohur e statistikave, Sofascore, e cila i dha notën 7.4, duke e renditur mes lojtarëve më të dalluar të takimit.
Forma e mirë e mbrojtësit kosovar u shpërblye edhe më tej, pasi Raçi u përfshi në formacionin më të mirë të javës në kampionatin kroat.
Në këtë sfidë, ai kompletoi 89 pasime me saktësi prej 92 për qind, realizoi katër spastrime të topit, regjistroi katër rikuperime dhe fitoi dy duele.
Për Raçin, kjo ishte paraqitja e tretë këtë sezon me Hajduk Splitin dhe në të tria ndeshjet ai e ka nisur takimin nga minuta e parë.
Mbrojtësi kosovar po fiton gjithnjë e më shumë besimin te skuadra kroate, teksa paraqitjet e tij po dëshmojnë se është shndërruar në një nga pikat e forta të mbrojtjes së Hajdukut.





