Samiti i 18 i BRICS-it në Nju Dehli

AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI

Samiti i 18-të në Nju Delhit përfaqësojë më shumë sesa një takim të përvitshëm diplomatik. Ai reflekton kërkesën në rritje të fuqive të reja ekonomike për të pasur një rol më të madh në përcaktimin e rregullave të sistemit ndërkombëtar. Nga ana tjetër, ky samit, nxori në pah kontradiktat e një grupimi që përfshin rivalë strategjikë, eksportues dhe importues energjie, demokraci dhe regjime autoritare dhe në të njëjtën kohë kompleksitetin e marrëdhënieve ndërmjet vendesh që gjenden në anë të ndryshme të konflikteve ndërkombëtare të periudhës së sotme.

ÇFARË PËRFAQËSON BRISC?

Në burimet zyrtare indiane, BRICS numëron 11 shtete anëtare: pesë themeluesit, Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, katër vendet që iu bashkuan në vitin 2024, Egjipti, Etiopia, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Indonezinë, e pranuar në vitin 2025, si dhe Arabinë Saudite, ndonëse statusi formal i kësaj të fundit mbetet i paqartë në raportimet ndërkombëtare. Krahas anëtarëve të plotë, është krijuar edhe një rreth prej dhjetë vendesh partnere, Bjellorusia, Bolivia, Kuba, Kazakistani, Malajzia, Nigeria, Tajlanda, Uganda, Uzbekistani dhe Vietnami, duke i dhënë grupimit një shtrirje edhe më të gjerë në Euroazi, Afrikë, Amerikën Latine dhe Azinë Juglindore. Ky zgjerim e ka shndërruar BRICS-in në një grupim që përfaqëson rreth 48,5% të popullsisë botërore, kundrejt më pak se 10% të G7. Në terma të fuqisë blerëse, vendet e BRICS prodhojnë rreth 40,7% të GDP botërore, krahasuar me 28,4% të G7; megjithatë, në vlerë nominale, G7 vazhdon të kryesojë, me rreth 54,5 trilionë dollarë, kundrejt afro 32 trilionëve të BRICS. Edhe në tregtinë e mallrave diferenca është ngushtuar, BRICS siguron afërsisht një të katërtën e eksporteve botërore, ndërsa G7 ruan një epërsi të vogël. Në teknologji, pamja është më e ndërlikuar, G7, sidomos Shtetet e Bashkuara, vazhdon të mbizotërojë në investimet private dhe modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale, por Kina, motori teknologjik i BRICS, kryeson botën në aplikimet për patenta dhe botimet shkencore mbi inteligjencën artificiale, duke synuar te ngushtoje hendekun cilësor.

ÇFARE ISHTE KY SAMIT?

Detyra e Indisë në samitin e BRICS-it, më 12–13 shtator nuk ishte thjesht të mirëpriste udhëheqësit e një grupimi tashmë të zgjeruar. Nju Delhi synojë të tregojë se BRICS është ende në gjendje të arrijë qëndrime të përbashkëta dhe të prodhojë forma konkrete bashkëpunimi, pikërisht në një kohë kur zgjerimi rrezikon t’ia zbehë qëllimin fillestar. Tema zyrtare e samitit ishte “Ndërtimi i qëndrueshmërisë përmes inovacionit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm” dhe ishte orientuar qëllimisht drejt zhvillimit dhe jo drejt përplasjeve ideologjike. Miratimi unanim i Deklaratës së Nju Delhit që në ditën e parë përbëri një sukses të rëndësishëm diplomatik për Indinë. Konsensusi nuk ishte aspak i garantuar. Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme kishte krijuar përplasje të forta mes Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa lufta në Ukrainë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe interesat e ndryshme kombëtare vazhdonjnë të krijojnë blloqe të ndryshme brenda BRICS.

Megjithatë, vetë deklarata zbulon edhe natyrën thelbësore të BRICS. Një hapësirë ku nga njëra anë artikulohet pakënaqësia me rendin ndërkombëtar ekzistues dhe nga ana tjetër mbetet shumë më i kujdesshëm kur duhet të përcaktojë një alternativë të përbashkët. Forca e tij buron nga pesha politike, ekonomike dhe demografike e vendeve anëtare, kurse dobësia, nga vështirësia për ta shndërruar këtë peshë në veprim të bashkërenduar.

REFORMIM, JO BRAKTISJE

Pika më e qartë e Samitit në Nju Delhi ishte reforma e qeverisjes globale. Udhëheqësit e BRICS kërkuan një sistem ndërkombëtar më përfaqësues dhe një reformim të gjerë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë Këshillin e Sigurimit. Kina dhe Rusia përsëritën mbështetjen për aspiratat e Indisë dhe Brazilit për një rol më të madh në OKB, ndërsa deklarata njohu edhe kërkesat e kahershme të Afrikës për përfaqësim më të fuqishëm.

Kryeministri Narendra Modi e përshkroi rendin ekzistues si një piramidë, në majën e së cilës vazhdojnë të përqendrohet vendimmarrja, ndërkohë që shtetet që preken më shumë prej tyre kanë mundësi të kufizuara për të ndikuar. Sipas tij, reforma e Këshillit të Sigurimit duhet të shoqërohet me ndryshime më të gjeradhe nje reformim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Kjo agjendë nuk duhet interpretuar thjesht si refuzim i multilateralizmit. BRICS kërkon më shumë multilateralizëm, por një multilateralizëm më pak të përcaktuar nga institucionet dhe raportet e forcës të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore. Deklarata e Nju Delhit kërkon më shumë fuqi vote dhe përfaqësim për ekonomitë në zhvillim në FMN dhe Bankën Botërore. Në të njëjtën kohë, ajo mbron Organizatën Botërore të Tregtisë dhe kërkon rikthimin e plotë të mekanizmit të saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Mund të thuhet se BRICS (të paktën në mënyrë të hapur) nuk propozon të braktisë sistemin ekzistues ndërkombëtar, por ta riekuilibrojë atë. India, në veçanti, ka kundërshtuar përpjekjet për ta përkufizuar grupimin si një aleancë të mirëfilltë kundër Perëndimit. Nju Delhi mban marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe Evropën, ruan partneritetin e vjetër me Rusinë dhe përpiqet të stabilizojë marrëdhënien e vështirë me Kinën. BRICS i ofron Indisë një hapësirë për autonomi strategjike dhe bashkëpunim me shumë qendra fuqie, pa u rreshtuar përfundimisht me asnjërën.

SAMITI: EKONOMIA PËRPARA IDEOLOGJISË

India u përpoq gjithashtu ta orientonte samitin drejt çështjeve konkrete ekonomike. Deklarata parashikon bashkëpunim më të fortë në tregti, financimin e zhvillimit ekonomik, sigurinë ushqimore dhe energjetike, inteligjencën artificiale dhe infrastrukturën publike digjitale. Bëhet thirrje për zinxhirë furnizimi më të qëndrueshëm dhe kritikë për tarifat e njëanshme, sanksionet dhe masat e tjera ekonomike shtrënguese që vendet anëtare i konsiderojnë të papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare. Pavarësisht deshirave dhe spekulimeve të vazhdueshme, BRICS nuk shpalli krijimin e një monedhe të përbashkët. Zyrtarët indianë sqaruan se një propozim i tillë nuk është aktualisht në shqyrtim. Objektivi më realist është nxitja e tregtisë dhe investimeve në monedhat kombëtare, si dhe përmirësimi gradual i ndërveprimit mes sistemeve të pagesave ndërkufitare.

India ka propozuar edhe lidhjen e mundshme të monedhave digjitale të bankave qendrore për pagesat ndërkufitare. Në teori, një mekanizëm i tillë mund të ulë kostot e transaksioneve dhe varësinë nga kanalet ekzistuese financiare. Në praktikë, pengesat politike, rregullatore dhe teknike mbeten të mëdha, ndërsa përdorimi i monedhave digjitale zyrtare është ende i kufizuar. Ky dallim nuk është thjesht teknik. BRICS nuk është në prag të zëvendësimit të dollarit me një monedhë të re. Përpjekja e tij është më graduale dhe më pak spektakolare, synon ndërtimin e kanaleve shtesë të pagesave, përmes të cilave vendet anëtare mund të tregtojnë në monedhat e tyre. Për Rusinë dhe Iranin, kjo do të ofronte mbrojtje nga sanksionet perëndimore. Për Indinë dhe anëtarët e tjerë, do të sillte diversifikim, pa kërkuar një shkëputje të plotë nga sistemi financiar i mbështetur te dollari.

Banka e Re për Zhvillim mbetet arritja institucionale më konkrete e grupimit. Sipas të dhënave të saj, ajo ka miratuar rreth 42,9 miliardë dollarë financime për 139 projekte. Deklarata e Nju Delhit kërkon që banka të zgjerojë financimin në monedhat vendase dhe të forcojë rolin e saj në infrastrukturën e qëndrueshme dhe zhvillimin afatgjatë.

Megjithatë, hendeku mes ambicieve të BRICS dhe kapacitetit të tij institucional mbetet i konsiderueshëm. Banka e Re për Zhvillim ka rëndësi, por përmasat e saj janë ende modeste krahasuar me Bankën Botërore dhe me nevojat financiare të vendeve në zhvillim. Prova e vërtetë nuk do të jetë numri i angazhimeve të renditura në deklaratë, por gatishmëria e shteteve anëtare për të siguruar burimet që i kthejnë ato në projekte reale.

KONSENSUS NËN HIJEN E LUFTËS

Deklarata e përbashkët shprehu “shqetësim të thellë” për përshkallëzimin e konfliktit në lindjen e mesme dhe Iran, dhe bëri thirrje për “përmbajtje maksimale” dhe theksoi dialogun, konsultimet dhe diplomacinë. Mund të themi se deklarata nuk i ngarkoi përgjegjësi të drejtpërdrejtë asnjë shteti. Ky formulim i matur e bëri të mundur në një arë mase unanimitetin, por njëkohësisht tregoi kufijtë e diplomacisë së BRICS. Konsensusi nuk u mbështet te një interpretim i përbashkët i konfliktit, por te një gjuhë mjaftueshëm e gjerë për t’u lejuar vendeve anëtare të ruanin qëndrimet e tyre.

Kjo gjë nuk do të thotë se marrëveshja ishte pa peshë. Në një kohë kur forumet diplomatike shpesh vetëm riprodhojnë ndarjet gjeopolitike, vendosja e Iranit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Rusisë, Kinës, Indisë dhe shteteve të tjera pas së njëjtës deklaratë ka një domethënie politike. Megjithatë, pajtimi mbi disa parime të përgjithshme nuk duhet ngatërruar me një politikë të jashtme të përbashkët apo me krijimin e një mekanizmi paqeje të BRICS. I njëjti kujdes vlen edhe për Ukrainën. India vazhdon të këmbëngulë te dialogu dhe diplomacia, ndërsa Modi ngriti përsëri nevojën për t’i dhënë fund konfliktit gjatë bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin. Por BRICS mbetet i paaftë të zhvillojë një qëndrim të hollësishëm kolektiv, sepse anëtarët e tij ndryshojnë thellësisht në marrëdhëniet me Moskën dhe Perëndimin.

INDIA MES KINËS DHE RUSISË

Një pjesë e diplomacisë më të rëndësishme të samitit u zhvillua jashtë seancave zyrtare. Vizita e presidentit kinez Xi Jinping ishte e para në Indi pas shtatë vjetësh. Kjo vizitë krijoi mundësinë për të stabilizuar marrëdhëniet mes dy fuqive më të mëdha të Azisë. Në takimin dypalësh, Modi dhe Xi ranë dakord se dallimet nuk duhet të shndërrohen në mosmarrëveshje të pakontrollueshme dhe shprehën mbështetje për një zgjidhje të drejtë dhe të pranueshme nga të dyja palët për çështjen e kufirit. Diskutuan gjithashtu pabarazitë strukturore në tregti, pasiguritë në zinxhirët e furnizimit dhe nevojën për qasje më të parashikueshme në tregje. Këto deklarata nuk përbëjnë ende një rivendosje strategjike të marrëdhënieve. Ekzistojnë ende mosmarrëveshje kufitare të cilat mbeten të pazgjidhura, mosbesimi i ndërsjellë vazhdon dhe India e sheh me shqetësim epërsinë ekonomike e politike të Kinës brenda BRICS. Megjithatë, takimi tregon përse grupimi ka rëndësi edhe kur deklaratat e tij nuk prodhojnë ndryshime të menjëhershme. Samite të tilla shërbejnë si hapësirë diplomatike ku shtetet rivale mund të menaxhojnë marrëdhëniet pa pretenduar se dallimet janë zhdukur.

Marrëdhëniet e Indisë me Rusinë pasqyrojnë të njëjtin ekuilibër të kujdesshëm. Modi dhe Putin diskutuan energjinë, tregtinë dhe Ukrainën, ndërsa India ritheksoi rëndësinë e dialogut dhe të sigurisë së tregtisë detare. Nju Delhi kërkon të ruajë lidhjet historike me Moskën, por pa lejuar që këto marrëdhënie t’ia kufizojnë alternativat diku tjetër. BRICS i shërben pikërisht këtij qëllimi dhe i mundëson Indisë të bashkëpunojë me Rusinë dhe Kinën, ndërkohë që vazhdon partneritetet me vendet perëndimore.

NJË KOALICION MË I MADH

Zgjerimi i BRICS ka shtuar shtrirjen gjeografike dhe dukshmërinë ndërkombëtare të tij dhe njëkohësisht e ka bërë grupimin edhe më të vështirë për t’u drejtuar. Vendet anëtare pajtohen se Jugu Global meriton një zë më të fuqishëm, por jo domosdoshmërisht mbi formën që duhet të marrë rendi i ri. Disa e shohin BRICS kryesisht si një instrument për kufizimin e ndikimit perëndimor, të tjerë si një platformë negociuese për reformimin e institucioneve ekzistuese. India i përket kryesisht qasjes së dytë. Theksi i saj te teknologjia, financimi i zhvillimit, siguria ushqimore, qëndrueshmëria energjetike dhe reforma institucionale synon t’i japë BRICS një identitet praktik që nuk mbështetet vetëm te kundërvënia ndaj Perëndimit. Kjo qasje e bën grupimin më tërheqës edhe për shtetet që kërkojnë më shumë autonomi, por nuk duan të detyrohen të zgjedhin mes kampeve gjeopolitike rivale.

Këtu mund të qëndrojë edhe roli më i rëndësishëm i BRICS. Ai nuk ka nevojë të shndërrohet në një aleancë të unifikuar për të ndikuar në politikën ndërkombëtare. Përmes bashkërendimit të kërkesave për reformën e OKB-së, përfaqësim më të madh në institucionet financiare dhe më shumë hapësirë politikëbërëse për vendet në zhvillim, grupimi mund të ndryshojë vetë termat e debatit global. Ekzistenca e tij pasqyron një botë ku fuqia po shpërndahet në më shumë qendra dhe ku shtetet perëndimore nuk mund të presin më që përparësitë e tyre ta përcaktojnë vetvetiu agjendën ndërkombëtare. Megjithatë ndikimi nuk duhet ngatërruar detyrimisht me kohezionin. Deklarata e Nju Delhit dëshmoi se BRICS mund të flasë ende njëzëri, por me kusht që zëri të jetë mjaftueshëm i gjerë për të përfshirë interesa shpesh të kundërta. Suksesi diplomatik i Indisë ishte ruajtja e konsensusit pa i detyruar shtetet anëtare të pranonin qëndrime të papërballueshme për to. Çmimi i këtij suksesi ishte një dokument më i fortë në aspirata të përbashkëta sesa në angazhime detyruese. Prandaj, rëndësia e samitit të Nju Delhit nuk do të matet me gjatësinë e deklaratës dhe as me parashikimet për ardhjen e menjëhershme të një rendi pasperëndimor, por me pyetje dhe cështje shumë më konkrete. A do të financojë BRICS më shumë projekte zhvillimi? A do t’i lehtësojë pagesat ndërkufitare? A do t’i zvogëlojë pengesat tregtare mes anëtarëve? A do të ketë bashkëpunin në fushën e teknologjisë? A do të ndërtojë koalicione efektive për reformimin e institucioneve ndërkombëtare? BRICS është sot një realitet tepër i madh për t’u shpërfillur. Por nga ana tjetër mbetet tepër i përçarë për të vepruar si një pol i vetëm gjeopolitik. Nju Delhi i shfaqi të dyja këto realitete njëherësh. Grupimi ka fituar një zë më të fuqishëm në çështjet botërore, por çështja vazhdon të mbetet nqs përtej deklaratave të samiteve, a do të arrihet ta shndërrojë zërin në veprim të përbashkët?!.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA