PËRGATITI: SARA SHEHU
Për gjashtë ditë, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nga 400 mostra tëdyshuara për SARS COV-2, 177 raste kanë rezultuar pozitiv me COVID–19.
Në njoftimin e IKSHPK-së, raportohet edhe për dy pacientë të vdekur, për të cilët të dielën ka raportuar ekskluzivisht ATV-ja.
Ndërkaq, gjatë të hënës, dy pacientët e vdekur nga Covid-19, sipas drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, kishin edhe sëmundje të tjera kronike.
“Aktualisht në Klinikën Infektive i kemi të spitalizuar gjithsej 10 pacientë, dy nga ta janë me oksigjeno-terapi. Dy ditë më parë në Klinikën Infektive dy pacientë kanë përfunduar me vdekje. Njëri në moshën 80–vjeçare i cili ka qëndruar në këtë klinikë dy orë, ngase ka pasur sëmundje tjera të rënda kronike. E pacienti tjetër në moshën 67–vjeçare i cili lëngonte nga sëmundje të rënda kronike që ishte duke u trajtuar më përpara në Klinikën Infektive”, deklaroi Vishaj.
Vishaj, i cili nuk u deklarua para gazetarëve por zgjodhi videomesazhin, tha se klinika Infektive, aktualisht është e furnizuar me terapi
“Për momentin në Klinikën Infektive kemi mjaftueshëm oksigjeno-terapi, kemi barna dhe staf mbështetës mjaftueshëm. Mendoj që nuk ka nevojë për ndonjë panik, ne jemi duke e përcjellë me vëmendje të shtuar situatën epidemiologjike dhe varësisht nga situatat do të veprojmë konform situatës e cila vjen”, tha tutje ai.
Gjendja vlerësohet të jetë nën kontroll, mirëpo sipas infektologut Hamdi Ramadani, ekziston rreziku që COVID-19, të përhapet përsëri.
Të shqetësuar me rritjen e numrit të rasteve pozitive janë shprehur edhe qytetarët.
Gjatë të hënës, ATV-ja ka tentuar të marrë një përgjigje në Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe në IKSHPK, nëse ka mjaftueshëm në stok vaksina kundër koronavirusit, por asnjëri nga institucionet nuk ka kthyer përgjigje.
Pavarësisht kësaj, në postimin e fundit, IKSHPK-jarithekson se vaksinimi vazhdon të jetë masë efektive mbrojtëse, veçanërisht ndaj formave më të rënda të sëmundjes dhe, për shkak të zbehjes së imunitetit me kalimin e kohës, individët në rrezik më të lartë dhe sëmundje kronike, rekomandohet të vaksinohen.
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:





