15.3 C
Pristina
E mërkurë, 18 Shtator, 2024

​Kukaj kritikon qasjen e kryeministrit Kurti ndaj çështjeve të grave në Kosovë

Diellza Kukaj, kryetare e Aleancës së Gruas së Kosovës në Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se deklarata e Kryeministrit Albin Kurti për mbështetjen e grave në Kosovë është një përpjekje e radhës për të maskuar “dështimet e tij të mëdha lidhur me çështjet gjinore”.

Kukaj tha se sa i përket tregut të punës, gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë një nga grupet më të diskriminuara. Shkalla e papunësisë së tyre sipas Kukaj është alarmuese dhe ka shumë pak përpjekje reale për të krijuar politika që nxisin pjesëmarrjen e tyre në ciklin ekonomik.

Reagimi i plotë i Diellza Kukaj:

Kurti asnjë fjalë për dhunën kundër grave!

Deklarata e Kryeministrit Kurti për mbështetjen e grave në Kosovë është një përpjekje e radhës për të maskuar dështimet e tij të mëdha lidhur me çështjet gjinore. Kur thotë se “gratë ngrihen, e gjithë shoqëria dhe kombi ngrihet me to”, a i referohet rritjes së dhunës ndaj grave dhe mungesës së drejtësisë për to? Gratë në Kosovë përballen me sfida të shumta që nuk mund të tejkalohen me fjalime të zjarrta, por kërkojnë veprime të qarta, konkrete dhe të qëndrueshme – diçka që, për fat të keq, qeveria juaj nuk e ka adresuar siç duhet.

Së pari, sa i përket tregut të punës, gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë një nga grupet më të diskriminuara. Shkalla e papunësisë së tyre është alarmuese dhe ka shumë pak përpjekje reale për të krijuar politika që nxisin pjesëmarrjen e tyre në ciklin ekonomik.

-Vetëm 18% e grave janë aktive në tregun e punës, ndërsa pjesa tjetër mbetet e margjinalizuar dhe e përjashtuar nga mundësitë për përmirësim ekonomik.

-Mbi 65% e tregut joformal përbëhet nga gratë, të cilat mbeten të ekspozuara ndaj shkeljeve të të drejtave të punës, pagave të ulëta dhe jashtë çdo kompensimi të përfshirë në statistikat tuaja politike. Rrjedhimisht, pjesëmarrja e grave në vendimmarrje dhe në tregun e punës është ndër më të ulëtat në Evropë.

Së dyti, ndërhyrjet në mbrojtjen nga dhuna ndaj grave mbeten sipërfaqësore.

-Në katër vitet e fundit, janë vrarë mbi 20 gra nën këtë qeverisje. Këto gra, të pambrojtura nga sistemi, u vranë nga partnerët apo familjarët e tyre, ndërsa institucionet u treguan të paafta për t’i mbrojtur. Qeveria dhe institucionet nuk kanë ndërmarrë masa të forta për të ndalur këtë dhunë sistematike, dhe mbrojtja për gratë në rrezik është pothuajse inekzistente.

-Shtëpitë e strehimit janë të mbingarkuara, ndërsa politika për barazinë gjinore mbetet vetëm në letër.

Së treti, ndërsa qeveria merr merita për shtesat e lehonave, disa komuna, si Rahoveci, nën qeverisjen e Aleancës, kanë treguar më shumë përkushtim ndaj grave, duke ndarë deri në 500 euro nga buxheti komunal për gratë që lindin në QKMF. A nuk besoni se qeveria do të mund të bënte më shumë!!?

Përfaqësimi i grave në politikë, megjithëse përmendet si arritje, nuk është në përputhje me thelbin e barazisë. Po e dimë se, Simone de Beauvoir thotë se, gratë që arrijnë pushtetin pa sfiduar status quo-në nuk përfaqësojnë barazinë e vërtetë. Kryeministër, megjithse po përmend shifra të përfaqësimit të grave në legjislaturën tënde, sa prej tyre trajtojnë në mënyrë të efektshme çështjet reale të grave? Cilat janë arritjet konkrete? Sa prej këtyre grave janë duke punuar për të zgjidhur problemet e përditshme që gratë e Kosovës përballen? Ajo që mungon është një përkushtim real për t’i bërë gratë të ndihen të sigurta, të barabarta dhe me mundësi të vërteta për përparim.

Zoti Kryeministër, pabarazia gjinore në Kosovë është rrënjosur thellë në struktura shoqërore dhe ekonomike që kërkojnë më shumë se fjalë të bukura për t’u zhbërë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA