Kosova synon fitoret në nëntor, objektivi mbetet Liga B

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur konferencë për media, ku ka folur për dy ndeshjet e muajit nëntor ndaj Izraelit dhe Irlandës, objektivat e Dardanëve në Ligën e Kombeve, si dhe planet për të ardhmen dhe futbollistët që mund t’i bashkohen Kombëtares.
Foda ka theksuar se synimi kryesor mbetet që Kosova të ruajë vendin në Ligën B, ndërsa në dy ndeshjet e fundit kërkon fitoret.
Reklamë
“Sigurisht që objektivi ynë është që ta fitojmë çdo ndeshje, objektivi kryesor gjithmonë ka qenë që të mbetemi në grupin B dhe në këtë drejtim është shumë me rëndësi që ta fitojmë ndeshjen kundër Izraelit pasi është shumë me rëndësi në këtë fazë dhe ne të shohim se cilin vend do ta zëmë të parin apo të dytin por me rëndësi që këto ndeshje t’i fitojmë”.
Tekniku gjerman ka folur edhe për planet afatgjata, duke konfirmuar se stafi po përcjell futbollistë nga kampionatet vendore dhe ato ndërkombëtare, me fokus të veçantë te talentet e rinj.
“Është e rëndësishme që kemi disa mundësi edhe për ndeshjet e ardhshme. Megjithatë, duke pasur parasysh skuadrën, ne nuk përgatitemi vetëm për ndeshjet aktuale, por edhe për vitin e ardhshëm dhe kualifikimet për Kampionatin Evropian”. I përcjellim të gjithë lojtarët, edhe ata që aktivizohen në ligat ndërkombëtare. Është e rëndësishme t’i ndjekim edhe talentet e rinj. Ne punojmë së bashku për t’i arritur këto objektiva”.
Ndërkohë, menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala, ka bërë të ditur se dokumentacioni i Enis Rexhepit ende nuk është kompletuar dhe se janë në pritje të përgjigjes përfundimtare nga FIFA.
“Dokumentacionet janë kryer për Bleon Kurtulus dhe Lindrit Kamberin, mirëpo jo për Enis Rexhepin. Jemi në pritje të përgjigjes së FIFA-s”.
Shala konfirmoi gjithashtu mungesën e Erblin Osmanit dhe Valmir Matoshit për shkak të lëndimeve, ndërsa bëri të ditur se Lumbardh Dellova do t’i nënshtrohet testeve mjekësore para se të konfirmohet gatishmëria e tij.
Në konferencë, Foda ka zbuluar edhe kontaktet me dy talentë të futbollit, Lutfi Dalipin dhe Arijon Ibrahimovicin, të cilët ende nuk kanë marrë vendimin përfundimtar se cilën kombëtare do të përfaqësojnë.
“Po, kam pasur kontakte me Lutfi Dalipin. Kam biseduar me të. Ai ende nuk ka vendosur se kë të përfaqësojë. Të shohim, shpresoj që të vendos për Kosovën”.
Po ashtu ai foli edhe për Ibrahimovicin, i cili ka të drejtë të luajë për Kosovën dhe Gjermaninë.
“Po, kam biseduar dhe me të, por do të jetë zgjedhja e tij nëse do të luajë për Kosovën. Ai ka të drejtë të luajë për Gjermaninë dhe Kosovën. Kemi biseduar disa herë, shpresoj që në fund të zgjedhë Kosovën”.
Kujtojmë se Kosova do të përballet me Izraelin më 14 nëntor dhe Irlandën më 17 nëntor, në dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Reklamë











