Kalo te përmbajtja
Të fundit

Kur emancipimi bëhet një tjetër detyrim

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Lirika Tafa Bajrami

Një reflektim mbi feminizmin,barazine horizontale, identitetin dhe paradokset e gruas moderne.

Shkruan: Lirikë Tafa Bajrami

Reklamë

Është njëkohësisht interesante dhe e çuditshme të jetosh në këtë kohë dhe në këtë pjesë të Evropës, ku ende flasim për feminizmin, ende luftojmë, protestojme dhe krijojmë organizata për çështje që, në një shoqëri ideale, do të duhej të ishin tejkaluar shumë kohë më parë.

Nuk më pëlqen tranzicioni në të cilin ndodhemi. Thellë brenda vetes, do të doja të mos kishim më nevojë për feminizmin dhe aktivizmin, të paktën jo për çështjet më themelore të drejtave të grave. Do të doja të ishim më përpara si shoqëri.

Por nuk jemi. Dhe gjithnjë e më shumë pyes veten nëse po e japim vëmendjen tonë drejt problemeve të duhura.

Jetojmë në një kohë kur rrjetet sociale, dezinformimi, polarizimi dhe komercializimi i frustrimit kanë ndryshuar mënyrën se si e kuptojmë realitetin. Gjithçka shndërrohet në kauzë, identitet, konflikt apo qëndrim publik. Nuk mjafton më të kesh një mendim, duhet edhe ta dëshmosh atë. Nuk mjafton të jesh e vetëdijshme, duhet të jesh vazhdimisht e përfshirë.

Dhe, fatkeqësisht, edhe ne vetë jemi pjesë e krijimit të kësaj kulture.

Flasim për femicidin, dhunën ndaj grave dhe padrejtësitë shoqërore.Këto janë realitete serioze, edhe në shoqërinë tonë, dhe nuk duhet të relativizohen. Por a po bëjmë mjaftueshëm për t’i kuptuar shkaqet e tyre, përtej reagimit emocional që prodhon çdo tragjedi? A po kërkojmë zgjidhje, apo jemi bërë një shoqëri që di të reagojë, të dënojë dhe të harrojë, për të filluar të njëjtin cikël me tragjedinë e radhës?

Më kujtohet një thënie, autorësinë e së cilës nuk e di me siguri: nëse e vret një vrasës, nuk ke një vrasës më pak në botë. Ideja nuk është të mohohet drejtësia apo ndëshkimi, por të kuptohet se ndëshkimi i një individi nuk i eliminon domosdoshmërisht arsyet që prodhojnë krimin.

Atëherë, si luftohet sistemi? Si mësojmë të mos e konsumojmë gjithçka që na servohet? Si e kuptojmë çfarë duhet të besojmë, çfarë duhet të kërkojmë dhe, mbi të gjitha, për cfarë duhet të votojmë?

Ndoshta problemi është se kemi filluar ta ngatërrojmë vetëdijen me reagimin, aktivizmin me përkatësinë dhe progresin me mënyrën se si prezantohemi para të tjerëve.

Dhe pikërisht këtu dua të ndalem te gruaja moderne.

Ndonjëherë mendoj se feminizmi, në disa nga interpretimet dhe manifestimet e tij bashkëkohore, po e largon gruan nga ajo për të cilën fillimisht ka luftuar. Jo nga të drejtat e saj, por nga liria për të qenë vetvetja pa pasur nevojë të dëshmojë vazhdimisht diçka. Është e pamohueshme se feminizmi ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e emancipimit shoqëror dhe në avancimin e të drejtave të grave. E drejta për arsimim, punësim, pavarësi ekonomike, votë dhe pjesëmarrje në vendimmarrje janë arritje të rëndësishme të shoqërisë moderne. Megjithatë, mendoj se ia vlen të reflektojmë edhe mbi një çështje tjetër: si e kemi konceptuar dhe si po e interpretojmë sot lirinë e gruas? A kemi arritur t’i japim këtij koncepti kuptimin e tij më të plotë?

Si grua e arsimuar, që jeton në një shoqëri moderne dhe demokratike, ndonjëherë mezi arrij t’i përmbush pritshmëritë që kam ndaj vetes. Pastaj vijnë pritshmëritë e fëmijëve të mi ndaj meje si nënë, të bashkëshortit si grua, të shoqërisë si qytetare, të kompanisë si punëtore dhe kolege, të familjes si bijë, mbesë dhe nuse.

Duhet të jem e gjitha. Dhe duhet të jem e gjitha mirë.

Një nënë e mirë, një bashkëshorte e mirë, një profesioniste e suksesshme, një qytetare e përgjegjshme, një bijë e kujdesshme, një kolege e mirë. E bukur, e zgjuar, e pavarur, e durueshme, e informuar, e fortë dhe emocionalisht e qëndrueshme.

Sa shumë kërkojmë prej gruas, ndërkohë që vazhdojmë të flasim për lirinë e saj.

Diku gjatë rrugës, ideja se gruaja mund t’i bëjë të gjitha është shndërruar në pritshmërinë se gruaja duhet t’i bëjë të gjitha.

Dhe ky është një dallim thelbësor.

Liria për të ndërtuar karrierë nuk duhet të shndërrohet në detyrim për ta pasur një të tillë. Liria për t’u bërë nënë nuk duhet të nënkuptojë sakrifikimin e çdo pjese tjetër të vetes. Pavarësia nuk duhet të jetë sinonim i vetmisë, as ambicia kusht për t’u konsideruar grua e përmbushur.

Pse një grua ambicioze duhet të konsiderohet më e fuqizuar se një grua që dëshiron një jetë të qetë familjare? Pse suksesi duhet të matet me karrierën, emancipimi me produktivitetin dhe pavarësia me shkallën e largimit nga rolet tradicionale? Biologjia ekziston. Hormonet ekzistojnë. Shtatzënia, lindja, gjidhënia dhe mëmësia janë përvoja reale që ndikojnë në jetën e grave. Pranimi i këtyre dallimeve nuk është prapambetje, as mohim i feminizmit.

Por ekziston edhe një dimension tjetër i barazisë që shpesh lihet në hije: barazia horizontale mes vetë grave. Ajo nënkupton se asnjë grua nuk duhet të konsiderohet më pak e emancipuar, më pak e vetëdijshme apo më pak e vlefshme për shkak të zgjedhjeve që bën. Gruaja që zgjedh karrierën nuk është mbi atë që zgjedh mëmësinë; as kjo e fundit nuk është mbi atë që zgjedh një jetë të pavarur nga modelet tradicionale.

Feminizmi nuk duhet të zëvendësojë një model të imponuar të gruas me një tjetër. Liria nuk ka kuptim nëse kushtëzohet nga miratimi i grave të tjera.

 Një shoqëri e drejtë duhet të jetë në gjendje t’i njohë ato pa i shndërruar në kufizime.

Pse duhet të dëshmojë një grua se mund të funksionojë saktësisht si një burrë për t’u konsideruar e barabartë(në aspektin simbolik)?Pse barazia duhet të nënkuptojë përshtatjen e gruas ndaj një modeli që nuk i merr domosdoshmërisht parasysh përvojat dhe rrethanat e saj?

Ndoshta duhet të ndalojmë së konkurruari dhe të fillojmë të krijojmë kushte në të cilat secili mund ta jetojë jetën që dëshiron.

Por më duket se problemi i kohës sonë thellohet edhe me shumë. Kemi filluar ta performojmë edhe lirinë.

Nuk mjafton të jesh e lirë, duhet edhe të dukesh e lirë. Nuk mjafton të jesh e pavarur, duhet ta dëshmosh pavarësinë. Nuk mjafton të jesh e përmbushur, duhet të kesh një jetë që duket e përmbushur.

Rrjetet sociale e kanë përforcuar këtë kontradiktë. Na ekspozojnë vazhdimisht ndaj versioneve të kuruara të jetës së të tjerëve dhe na bindin se ekziston gjithmonë një version më i mirë i vetes që duhet ta arrijmë. Edhe emancipimi, në njëfarë mënyre, është bërë pjesë e kulturës së krahasimit. Në vend që të çlirohemi nga nevoja për miratim, kemi gjetur një mënyrë të re për ta kërkuar atë.

Kështu, në vend që të largohemi nga pritshmëritë shoqërore, kemi krijuar të reja. Dikur ato vinin nga tradita, familja dhe normat shoqërore. Sot vijnë edhe nga shkalla e suksesit, kultura e produktivitetit dhe vetë mënyra se si e interpretojmë emancipimin.

Ndryshoi forma e presionit, por jo domosdoshmërisht vetë presioni,madje duket se u shtua edhe doza.

Sot duhet të jesh e suksesshme, por edhe e pranishme. E pavarur, por edhe e përkushtuar. Ambicioze, por jo egoiste. Nënë, por pa humbur identitetin. Bashkëshorte, por pa u perkufizuar  nga martesa. E fortë, por edhe e butë. Dhe, mbi të gjitha, duhet t’i menaxhosh të gjitha këto pa u ankuar për lodhjen.

Nëse nuk ia del, problemi duket se është te ti.

Ndoshta ky është versioni më modern i presionit shoqëror: të të bindë se gjithçka është zgjedhje personale, edhe kur pritshmëritë janë gjithemonë kolektive.

Unë nuk dua ta mbroj një model të caktuar të gruas. Nuk dua ta idealizoj traditën dhe as ta demonizoj modernen. Nuk dua që një grua të ndihet më pak e vlefshme pse zgjedh të jetë amvise, as më e vlefshme pse bëhet drejtoreshë. Dua që secila të ketë mundësinë të jetojë pa u matur vazhdimisht me standardet e dikujt tjetër.

Nuk dua një botë ku gratë gjykohen për mënyrën se si zgjedhin të jetojnë. Dua një botë ku një grua mund të jetë aq sa dëshiron të jetë, pa pasur nevojë ta arsyetojë këtë para askujt.

Ndoshta duhet të fillojmë të bëjmë një pyetje më të thjeshtë: a po e zgjerojmë vërtet lirinë e gruas, apo thjesht po ia ndryshojmë dhe po ja shtojmë cdo ditë e më shumë përmbajtjen e detyrimeve?

Sepse nëse emancipimi nënkupton se duhet të jesh gjithçka, të arrish gjithçka dhe të përmbushësh gjithçka, atëherë çfarë ka mbetur nga liria?

Të dashura gra feministe, çfarë duam në të vërtetë?

Një sistem që funksionon, që garanton drejtësi, siguri, shëndet, arsim dhe mundësi të barabarta? Apo një tjetër betejë ideologjike, ku vazhdojmë të gjykojmë njëra-tjetrën, ndërkohë që mendojmë se po luftojmë për liri?

Ndoshta kemi nevojë të flasim më pak për atë se si duhet të jetë gruaja dhe më shumë për atë se çfarë duhet t’i mundësojë shoqëria asaj.

Nuk dua që feminizmi të më tregojë se si duhet të jem grua. Dua që të drejtat për të cilat është luftuar të më lejojnë të vendos vetë se çfarë gruaje dua të jem.

Ne luftuam për të pasur të drejtën ta zgjedhim jetën tonë. Si përfunduam duke u gjykuar për mënyrën se sa ‘mirë’po e jetojmë atë që kemi zgjedhur?

Reklamë