Me rezultat të ngushtë 28:24, Kosova u pranua në UEFA më 3 maj 2016, në Kongresin e mbajtur në Budapest. Ky vendim historik i dha fund izolimit shumëvjeçar të futbollit kosovar dhe hapi rrugën për integrim të plotë ndërkombëtar. Vetëm dhjetë ditë më vonë, më 13 maj 2016, Kosova u bë pjesë edhe e FIFA.
Një dekadë më pas, zhvillimi i futbollit kosovar është i dukshëm. Përfaqësuesja e Kosovës ka kaluar tri cikle kualifikuese për Kupën e Botës dhe dy për Kampionatin Evropian, ndërsa ka marrë pjesë katër herë në UEFA Nations League, duke u ngjitur nga Liga D në Ligën B. Aktualisht, Kosova renditet në vendin e 78-të në ranglistën e FIFA-s, që është pozita më e mirë në histori.
Rritja konfirmohet edhe nga paraqitjet konkurruese, përfshirë humbjen e ngushtë 1:0 ndaj Turqisë më 31 mars, në finalen e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Edhe klubet kosovare kanë bërë hapa të mëdhenj në garat evropiane. FC Ballkani është paraqitur dy herë në fazën grupore të UEFA Europa Conference League, ndërsa FC Drita në edicionin aktual arriti deri në fazën nokaut, pasi përfundoi në vendin e 20-të nga 36 skuadra në fazën e ligës.
Pranimi në UEFA dhe FIFA ka sjellë gjithashtu përfitime të mëdha financiare për Federatën e Futbollit të Kosovës, duke mundësuar investime në projekte të ndryshme dhe implementimin e sistemit VAR para shumë vendeve të rajonit.
Megjithatë, sfidat mbeten. Infrastruktura vazhdon të jetë e mangët, pasi vetëm Stadiumi Fadil Vokrri plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare. Po ashtu, akuzat për kurdisje ndeshjesh vazhdojnë të jenë të pranishme, sidomos në përfundim të kampionatit.
Pavarësisht vështirësive, futbolli kosovar po shënon një dekadë me progres të qëndrueshëm dhe ndodhet në një nga momentet më të mira të tij, me synime të qarta për të ardhmen.





