Ish-futbollisti i Kombëtares së Zvicrës, Benjamin Huggel, ka dalë në mbrojtje të Granit Xhakës pas deklaratës së kapitenit shqiptar se kishte përdorur një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19.
Në një intervistë për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, Huggel, i cili aktualisht punon si trajner dhe komentator i Kombëtares së Zvicrës në televizionin publik SRF, ka thënë se Xhaka duhet të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit, nëse çështja nuk sjell pasoja të tjera juridike apo sportive.
“Kapiteni caktohet nga skuadra dhe nga trajneri, jo nga opinioni publik”, ka deklaruar Huggel, duke shtuar se nëse trajneri Murat Yakin dhe këshilli i skuadrës, pas një bisede të sinqertë, vlerësojnë se Xhaka duhet të vazhdojë të jetë kapiten, ai nuk sheh arsye që kjo të ndryshojë.
Huggel ka theksuar se çështja e certifikatës së vaksinimit nuk duhet të lidhet me paraqitjet dhe sjelljen e Xhakës në fushën e futbollit. Sipas tij, veprimi i pretenduar nuk është arsye për të humbur besimin te mesfushori si kapiten.
“Falsifikimi i pretenduar i dokumentit nuk ka asnjë lidhje me sjelljen e Xhakës në fushë”, është shprehur ish-lojtari zviceran.
Ai ka vlerësuar lart kontributin e Xhakës për Kombëtaren e Zvicrës, duke e përshkruar atë si një lojtar që ka marrë vazhdimisht përgjegjësi dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në ekip.
Huggel është ndalur edhe te disa episode të tjera të së kaluarës së Xhakës, përfshirë tatuazhin e bërë në vitin 2021 gjatë periudhës së kufizimeve nga pandemia, si dhe festimin me simbolin e shqiponjës së bashku me Xherdan Shaqirin në ndeshjen ndaj Serbisë në Kupën e Botës 2018.
Sipas Huggel, në rastin e ndeshjes ndaj Serbisë duhet të merret parasysh edhe fakti se dy futbollistët ishin provokuar gjatë gjithë takimit nga tifozët serbë.
Në fund, ish-futbollisti zviceran ka dhënë një vlerësim shumë të lartë për Xhakën, duke e konsideruar atë si futbollistin më të suksesshëm në historinë e Kombëtares së Zvicrës.





