13.6 C
Pristina
E enjte, 19 Shtator, 2024

​Konjufca për kërcënimet e Vuçiqit: Nuk na bëjnë përshtypje

Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk i bëjnë përshtypje. Ai theksoi se në veri të vendit janë prezente institucionet e sigurisë, për çka tha se nuk shqetësohen dhe frikësohen nga kërcënime e tij.

Para mediave, Konjufca theksoi se pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet, po të mos ishte LVV, veriu do të përfundonte në negociata. Ai foli edhe për aktakuzën për Banjskën, për çka u shpreh se ka “goditur në shenjë”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk i bëjnë përshtypje.

“Të gjitha që i bëri janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe diçka e cila nuk ekziston më. Strukturat paralele, tash gradualisht janë hequr prej Kosovës po vazhdojnë të hiqen edhe sot e kësaj dite. Mirëpo ajo substanca e tyre do të thoja se është hequr, kanë mbetur disa të tjera mirëpo në vazhdimësi nuk kemi pse të ngutemi shumë. Është në rrugë të mbarë ky proces dhe ky proces ka qenë i domosdoshëm për konsolidimin e kushtetueshmërisë dhe të shtetësisë së Kosovës dhe sovranitetit në atë pjesë të vendit. Ky është drejtim ynë. Tash Vuçiqi po tenton t’i ruajë ato që nuk i ka më. Edhe faktikisht po kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës për shtyp. Mirëpo, ky është një kërcënim me thënë të drejtën nuk është se na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë edhe është shansa e humbur e qytetarëve që kanë mendime të tjera”, u shpreh Konjufca.

Pas bojkotit të serbëve nga institucionet vendore, Konjufca shtoi se Kosova ka qenë para dy opsioneve.

“Unë jam i sigurt që po të kishte qenë opsioni i vjetër politik në Kosovë, do të kishim përfunduar në negociata, por kjo nuk ka qenë opsioni jonë, opsioni jonë është kushtetutshmëria me çdo kusht, qoftë edhe përmes përdorimit të organeve të sundimit të ligjit për të vendosur atje rendin dhe ligjin. Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata. Kjo nuk ka qenë opsion për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qeverisjen e Kosovës”, shtoi ai para mediave.

I pyetur se a pranon Kosova që në takimet në Bruksel të diskutohet për veriun, Konjufca tha se dialogu ka vdekur për këtë vit.

“Me këtë strukturë dhe në anglisht që thonë me këtë ‘set up’, unë kam vlerësuar që dialogu tashmë ka vdekur… ta shohim se çfarë po ndodhë në vitin 2025, për vitin 2024 nuk kemi çfarë të flasim”, shtoi Konjufca.

Sa i përket aktakuzës për sulmin terrorist në Banjskë, kryeparlamentari Konjufca tha se nuk duhet të ketë vonesa, ashtu siç shtoi ai, që ka ndodhur me përpilimin e kësaj aktakuze.

“Është një aktakuzë e cila mendoj që për nga definicioni i çështjeve që i ka ngritur, ka goditur në shenjë. Për arsye se ne këtë e kemi thënë përgjatë gjithë kohës. Synimi i grupit terrorist e para ka qenë aneksimi i një pjese të Republikës së Kosovës. Me këtë pretendim ka pasur njerëz edhe që kanë bërë shaka. Por kjo nuk është hajgare, është e vërtetë. E dyta, grupi terrorist e ka pasur mbështetjen e plot të Serbisë. Ky është pretendimi i dytë i aktakuzës. E treta dhe e katërta janë tentimi për të shkatërruar rendin kushtetues dhe sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës. aty ishte shumë mirë e argumentuar edhe aspekti i kriminalitetit shumë të madh financiar që ka bërë ky grup terrorist, duke shpërlarë para dhe duke i vendosur krejt këto shpërlarje të parave dhe keqpërdorimeve të tenderëve në funksion të financimit dhe të krijimit të logjistikës së nevojshme për funksionalizimin e këtij grupi terrorist”, përfundoi ai./KP

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA