14.9 C
Pristina
E premte, 20 Shtator, 2024

Holanda dhe Luksemburgu shpresojnë te udhërrëfyesi i BE së për deeskalim

Veprime nga Kosova dhe Serbia në përputhje me udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në veri, kërkuan kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut, Mark Rutte dhe Xavier Bettel.

Në vizitën në Prishtinë, pas asaj në Beograd, liderët e NELUX-it thanë se vizitat, që ishin planifikuar para përshkallëzimit të situatës në veri, ishin për t’i dëgjuar palët dhe për t’i ndihmuar në arritjen e një zgjidhjeje.

Pasi tha se Qeveria është e interesuar për zgjidhje evropiane për tensionet në veri të vendit, kryeministri Albin Kurti i ndërlidhi ato me moszbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

“Të mos heqim dorë nga marrëveshja… Sidoqoftë, vështirësia që kemi është nga mungesa e zbatimit dhe besoj se ajo filloi duke lënë këtë proces të kalojë pa nënshkrim nga të dyja palët. Ky është një gabim i madh, sepse mosnënshkrimi i marrëveshjes ka hapur derën për shkeljen dhe moszbatimin e saj. Çfarë duhet është zbatim i shpejtë i të gjitha pikave, pa parakushte apo vonesa”, tha Kurti.

Teksa si platformë për zgjidhjen e problemit e përmendi dialogun e Brukselit, kryeministri holandez refuzoi ta komentojë qasjen e BE-së ndaj Serbisë dhe masat ndaj Kosovës, duke thënë se drejtimi i gishtave nuk e ndihmon situatën.

“Çfarë më pëlqen te udhërrëfyesi është se i ka të qartë hapat që duhet të ndërmerren nga të dyja palët dhe që deeskalimi duhet të bëhet nga të dyja palët, dhe pastaj, sigurisht, t’u prijë zgjedhjeve. Shpresoj në këtë. Jam optimist që mendjet e ftohta do të triumfojnë”, tha kryeministri i Holandës, Mark Rutte.

Duke shprehur shqetësimin për mundësinë e zgjerimit të tensioneve, kryeministri i Luksemburgut tha se është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të veprojnë menjëherë.

“Të gjithë e shikojnë tjetrin, cili do të bëjë lëvizjen e parë, që më pas tjetri të bëjë lëvizjen. Kemi një udhërrëfyes. Duhet t’i përmbahemi udhërrëfyesit dhe në vend se të flasim, duhet të veprojmë nga të dyja anët. Kështu do të bëjmë gjykimin tonë dhe do të shohim dëshirën për të përparuar dhe deeskalimin e situatës, duke ndjekur këtë udhërrëfyes dhe jo duke pritur”, tha kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel.

Tre kryeministrat thanë se në takim kanë biseduar për proceset integruese të Kosovës, me theks Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe.

Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe veçmas atij në sektorin e IT-së, ishin po ashtu në mesin e temave të diskutimit.

Kryeministrat Rutte dhe Bettel u takuan edhe me presidenten Vjosa Osmani. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA