E ardhmja e Shaqiri tek Basel mbetet e paqartë

E ardhmja e Xherdan Shaqirit te Baseli vazhdon të jetë e hapur, ndërsa disa mundësi janë në tavolinë për kapitenin e skuadrës zvicerane. Kontrata e tij përfundon në verën e vitit 2027, por ende nuk dihet nëse do të vazhdojë karrierën në Basel, do të kërkojë një aventurë të fundit jashtë vendit apo do t’i japë fund futbollit të luajtur.
Mediumi zviceran Watson ka publikuar një analizë ku trajton shtatë pyetjet kryesore që lidhen me të ardhmen e 35-vjeçarit.
Reklamë
Një largim nga Zvicra nuk përjashtohet, pasi Arabia Saudite dhe Turqia përmenden si destinacione të mundshme, ku Shaqiri mund të përfitonte edhe financiarisht. Në të kaluarën ishte përfolur edhe një transferim në Greqi, para rikthimit të tij te Baseli.
Megjithatë, futbollisti nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar. Përmes një reagimi në Instagram, ai ka bërë të ditur se gjithçka mbetet e hapur, përfshirë edhe mundësinë e përfundimit të karrierës.
Pavarësisht moshës, Shaqiri vazhdon të jetë një prej futbollistëve më cilësorë të Superligës zvicerane. Teknika, kreativiteti dhe aftësia për të vendosur ndeshjet me një veprim të vetëm e bëjnë atë një lojtar të rëndësishëm për Baselin.
Ai është gjithashtu një prej figurave kryesore të skuadrës, veçanërisht pas largimit të Albian Ajetit në shtator.
Nga ana tjetër, largimi i Shaqirit do t’i mundësonte klubit të lironte një pjesë të konsiderueshme të buxhetit. Sipas raportimeve, paga e tij vjetore është mbi 1.5 milionë franga zvicerane.
Një ndryshim i tillë do t’i jepte trajnerit më shumë liri në aspektin taktik, ndërsa edhe futbollistët e tjerë do të duhej të merrnin më shumë përgjegjësi në skuadër.
Sipas Watson, vazhdimi i bashkëpunimit mund të kërkojë kompromis nga të dyja palët. Shaqiri mund të pranojë një pagë më të ulët dhe një rol më të kufizuar në fushë, ndërsa Baseli duhet t’i ofrojë një plan të qartë për të ardhmen e tij, përfshirë mundësinë e angazhimit në strukturat e klubit pas përfundimit të karrierës.
Një element tjetër që mund të ndikojë në vendimin e tij është familja. Shaqiri ka theksuar më parë rëndësinë e qëndrimit pranë saj, çka mund ta bëjë më pak tërheqëse një aventurë të re jashtë Zvicrës.
Ndërkohë, futbollisti është edhe bashkëpronar i FC Rapperswil-Jona, klub që garon në kategorinë e dytë të futbollit zviceran. Ai u bë pjesë e pronësisë së klubit në fillim të vitit 2025, duke marrë pak më pak se gjysmën e aksioneve.
Sipas mediumit zviceran, Shaqiri është parë gjithnjë e më shpesh pranë skuadrës, madje edhe jashtë ditëve të ndeshjeve. Në një rast, ai thuhet se u ka drejtuar disa fjalë futbollistëve në zhveshtore.
Megjithatë, një sezon i fundit si futbollist te Rapperswil-Jona nuk konsiderohet shumë i mundshëm. Më tepër, klubi mund të luajë një rol të rëndësishëm në angazhimin e tij pas përfundimit të karrierës.
Vendimi për të ardhmen mund të merret brenda një jave, por nuk përjashtohet mundësia që gjithçka të shtyhet deri në muajin mars. Sipas Watson, bisedimet mes Shaqirit dhe drejtuesve të Baselit po zhvillohen në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët po e trajtojnë situatën me qetësi.
Në rast se vendos t’i japë fund karrierës, Baseli do të ketë përgjegjësinë t’i organizojë një lamtumirë të denjë një prej futbollistëve më të rëndësishëm të viteve të fundit në historinë e klubit.
Për momentin, e ardhmja e Shaqirit mbetet e paqartë, ndërsa vendimi i tij pritet me interes të madh nga tifozët e Baselit.
Reklamë










