Bayern Munich në krizë, Jamal Musiala nën presion

Bayern Munich po kalon një periudhë të vështirë, pasi problemet me lëndimet dhe polemikat rreth Jamal Musialas kanë krijuar shqetësime në kampin bavarez.
Mesfushori gjerman, 23-vjeçar, u rikthye në fushë në ndeshjen ndaj Kolnit, e cila përfundoi me rezultat 1-1, pas një mungese rreth dy mujore. Megjithatë, rikthimi i tij u shoqërua me polemika pas deklaratave të ish-drejtuesit të klubit, Karl-Heinz Rummenigge.
Reklamë
Ky i fundit vuri në pikëpyetje mundësinë që Musiala të rikthehet në nivelin e tij të mëparshëm, duke përmendur edhe kushtet financiare të kontratës së tij. Sipas gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung, gjatë verës këshilltarët e futbollistit dhe drejtuesit e Bayernit kishin arritur një marrëveshje verbale për rishikimin e kontratës në rast se ai nuk do të rikthehej në formën e mëparshme.
Musiala e vazhdoi kontratën me Bayernin deri në vitin 2030, në shkurt të vitit 2025, duke u bërë një prej futbollistëve më të paguar të klubit. Ndërkohë, presidenti Herbert Hainer ka hedhur poshtë pretendimet se rrethi i futbollistit ishte në dijeni të gjendjes së tij shëndetësore përpara nënshkrimit të kontratës së re.
Përveç çështjes Musiala, Bayerni është goditur edhe nga mungesa e Harry Kane. Sulmuesi anglez iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas këputjes së sindesmozës dhe pritet të qëndrojë për një periudhë jashtë fushave.
Drejtori sportiv Max Eberl e ka cilësuar situatën si shumë sfiduese, duke pranuar se mungesa e Kane është një goditje e madhe për skuadrën.
Problemet fizike kanë prekur edhe Manuel Neuer, Serge Gnabry, Ismael Saibari dhe Alphonso Davies. Ndërkohë, Luis Diaz po rikthehet gradualisht, kurse Michael Olise pësoi një dëmtim ndaj Kolnit, por pritet të mungojë vetëm në ndeshjen kundër Lille.
Në këto rrethana, trajneri Vincent Kompany duhet të gjejë zgjidhje për të përballuar kalendarin e ngjeshur dhe sfidat e rëndësishme që e presin skuadrën.
Trajneri belg pret që futbollistët e tjerë të marrin më shumë përgjegjësi gjatë kësaj periudhe, ndërsa Musiala mund të jetë një prej lojtarëve nga të cilët kërkohet më shumë.
Bayerni tashmë ka nevojë për rezultate dhe stabilitet, por polemikat rreth Musialas dhe mungesa e sulmuesit Harry Kane po e vështirësojnë edhe më shumë situatën në kampin bavarez.
Reklamë








