Përmbysje në Malishevë, vendasit mposhtin Dukagjinin dhe rikthehen te fitorja

Malisheva ka regjistruar një fitore të rëndësishme me rezultat 2-1 ndaj Dukagjinit, në kuadër të javës së 14-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Kastriot Rexha është rikthyer te fitorja pas një barazimi dhe një humbjeje, duke triumfuar ndaj ekipit të Armend Dallkut, të cilit ia thelloi krizën në pesë ndeshje radhazi pa fitore.
Reklamë
Pjesa e parë u karakterizua me një lojë mjaft të barabartë nga të dyja skuadrat, por klinasit ishin më konkretë para portës kundërshtare.
Goli i epërsisë për mysafirët erdhi në minutën e 17-të, kur Dieni Isufi realizoi për 0-1. Fillimisht, goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pas rishikimit të situatës përmes VAR-it u vendos që ai të pranohej.
Në pjesën e dytë, Malisheva u shfaq shumë më kërkuese dhe arriti të përmbyste rezultatin, duke përfituar edhe nga epërsia numerike pas përjashtimit të Egzon Sinanit me karton të kuq në minutën e 83-të.
Vendasit fillimisht barazuan shifrat në minutën e 63-të, kur Kreshnik Uka realizoi për 1-1.
Goli i fitores erdhi në minutën e 84-t, kur kapiteni Dreni Kryeziu u tregua i saktë për të dërguar topin në rrjetë dhe për t’i dhënë Malishevës tri pikë të rëndësishme me rezultatin përfundimtar 2-1.
Pas këtij triumfi, Malisheva ngjitet në pozitën e dytë me 30 pikë, pesë më pak se liderja Prishtina. Në anën tjetër, Dukagjini mbetet në vendin e gjashtë me 18 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Malisheva do të jetë nikoqire e Llapit, ndërsa Dukagjini do të përballet me Ballkanin.
Reklamë








