Edon Zhegrova dhuron asist në fitoren e Juventusit kundër Venezias

Juventusi ka regjistruar një fitore bindëse me rezultat 4-0 ndaj Venezias, në një ndeshje ku Edon Zhegrova ishte ndër futbollistët më të dalluar, duke kontribuar edhe me një asistim.
Reprezentuesi i Kosovës e nisi për herë të parë këtë sezon një ndeshje si titullar me fanellën e Juventusit dhe e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë besimin e trajnerit Luciano Spalletti. Zhegrova zhvilloi një paraqitje të mirë, duke qëndruar në fushë gjatë të gjitha 90 minutave.
Reklamë
Ai ishte pranë realizimit të golit që në minutën e 23-të, kur pas një depërtimi të bukur në mbrojtjen kundërshtare goditi nga distanca, por portieri Filip Stankovic reagoi me sukses.
Juventusi kaloi në epërsi në minutën e 53-të me Nick Woltemade, ndërsa gjashtë minuta më vonë Teun Koopmeiners dyfishoi rezultatin, pas një aksioni të bukur të nisur nga sulmuesi gjerman.
Momenti më i rëndësishëm për Zhegrovën erdhi në minutën e 65-të. Futbollisti kosovar realizoi një harkim të saktë në zonë, ku Juan Cabal u shkëput bukur dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 3-0. Ky ishte asistimi i parë i Zhegrovës në këtë takim.
Fitoren e Juventusit e vulosi Randal Kolo Muani, i cili në minutën e 71-të realizoi nga pika e bardhë, pas një penalltie të konfirmuar edhe nga VAR-i.
Zhegrova vazhdoi të ishte pjesë e lojës deri në përfundim të takimit, ndërsa reprezentuesi tjetër i Kosovës, Albion Rrahmani, u aktivizua vetëm në minutën e 87-të.
Me këtë fitore, Juventusi ngjitet në vendin e gjashtë në tabelën e Serie A, duke arritur në kuotën e 21 pikëve. Ndërkohë, paraqitja e Zhegrovës dhe asistimi i tij janë një sinjal pozitiv për vazhdimin e sezonit.
Reklamë









