Hidhet shorti i Ligës së Kombeve, përcaktohen çiftet e “play-off”-it dhe çerekfinaleve

Është hedhur këtë të premte, më 20 nëntor 2026, në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, shorti për ndeshjet e “play-off”-it dhe çerekfinaleve të Ligës së Kombeve.
Shorti ka përcaktuar përballjet në fazën e “play-off”-it mes Ligës A dhe B, si dhe mes Ligës B dhe C, ndërsa nuk kanë munguar edhe duelet interesante në çerekfinale.
Reklamë
Në “play-off”-in mes Ligës A dhe B, Irlanda do të përballet me Kroacinë, Bosnja dhe Hercegovina me Danimarkën, Hungaria me Serbinë, ndërsa Sllovenia do të luajë kundër Uellsit.
Ndërkohë, në përballjet mes Ligës B dhe C, Qipro do të ketë përballë Maqedoninë e Veriut, Estonia do të ndeshet me Rumaninë, Ishujt Faroe me Gjeorgjinë, ndërsa Bjellorusia do të përballet me Izraelin.
Vëmendja kryesore në çerekfinale do të jetë te përballja mes Spanjës dhe Francës, dy kombëtareve me histori të madhe në futbollin evropian.
Një tjetër duel interesant pritet të jetë ai mes Norvegjisë dhe Anglisë, ku norvegjezët, të udhëhequr nga Erling Haaland, do të sfidojnë anglezët. Në anën tjetër, Holanda do të përballet me Portugalinë, ndërsa Belgjika do të masë forcat me Gjermaninë.
Sa i përket sistemit të garës, ndeshjet e “play-off”-it do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, ku skuadra që regjistron rezultatin më të mirë të përgjithshëm siguron suksesin. Në rast të barazimit pas 180 minutash, do të luhen vazhdimet prej dy pjesësh nga 15 minuta, ndërsa nëse barazimi vazhdon, fituesi do të përcaktohet përmes penalltive. Rregulli i golit në fushë mysafire nuk do të zbatohet.
Ndërkaq, çerekfinalet do të shërbejnë për përcaktimin e katër kombëtareve që do të vazhdojnë garën në gjysmëfinale, me synimin për të arritur deri në finalen e madhe dhe për të luftuar për trofeun e Ligës së Kombeve.
Ndeshjet e para të fazës së “play-off”-it janë planifikuar të zhvillohen më 25 ose 27 mars 2027, ndërsa ato të kthimit më 28 ose 30 mars të po këtij viti.
Reklamë









