Lionel Messi mbetet futbollisti më i paguar në MLS, Lewandowski renditet i dyti

Lionel Messi vazhdon të jetë futbollisti më i paguar në Major League Soccer (MLS), me një kompensim të garantuar prej 28.3 milionë dollarësh (25.8 milionë euro) në vit, sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Lojtarëve të MLS-së.
Ylli argjentinas kryeson listën përpara sulmuesit polak Robert Lewandowski, i cili iu bashkua Chicago Fire në fillim të këtij viti dhe renditet në vendin e dytë me 17.78 milionë euro kompensim të garantuar.
Reklamë
Në vendin e tretë gjendet francezi Antoine Griezmann i Orlandos me 12.70 milionë euro, ndërsa pas tij renditet sulmuesi korean i Los Angeles FC, Son Heung-min, me 10.16 milionë euro.
Pesëshen e parë e plotëson zvicerani Breel Embolo i Atlanta United, me një kompensim prej 9.85 milionë eurosh.
Sipas të dhënave, kompensimi i Messit është rritur për rreth 7.3 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, këto shifra përfshijnë vetëm të ardhurat e tij si futbollist dhe nuk llogarisin përfitimet nga burime të tjera.
Sa u përket klubeve, Inter Miami kryeson renditjen për kompensimin e përgjithshëm të garantuar të lojtarëve, me 54.10 milionë euro.
Në vendin e dytë renditet Chicago Fire me 37.64 milionë euro, e ndjekur nga Atlanta United me 34.95 milionë euro. Los Angeles Galaxy zë vendin e katërt me 31.81 milionë euro, ndërsa Los Angeles FC plotëson pesëshen e parë me 29.99 milionë euro.
Në anën tjetër, Philadelphia Union ka kompensimin më të ulët të përgjithshëm në ligë, me 11.52 milionë euro. Pas saj renditet Sporting Kansas City me 12.12 milionë euro, ndërsa DC United është në vendin e tretë nga fundi me 13.26 milionë euro.
Kështu, Messi vazhdon të kryesojë listën e futbollistëve më të paguar në MLS, duke lënë pas emra të njohur të futbollit botëror, përfshirë Lewandowskin, Griezmannin dhe Son Heung-minin.
Reklamë










