4.27 miliardë euro buxhet për vitin 2027, Qeveria zotohet për investime dhe rritje të pagave

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh.
Pas miratimit, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se buxheti i ri synon ta kalojë vendin nga faza e rritjes ekonomike në atë të transformimit ekonomik, përmes investimeve publike e private, krijimit të vendeve të reja të punës dhe shpërndarjes më të gjerë të përfitimeve ekonomike te qytetarët.
Reklamë
Sipas Ekzekutivit, ndër prioritetet kryesore janë ndarja e 908 milionë eurove për komunat dhe mbi një miliard euro për investime kapitale.
Po ashtu, buxheti parasheh pagën e 13-të për punonjësit publikë, rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga korriku i vitit 2027, si dhe rritjen graduale të shtesave për fëmijë, me synim dyfishimin e tyre deri në vitin 2030.
Qeveria ka njoftuar se janë paraparë investime edhe në shëndetësi, infrastrukturë rrugore, siguri ujore, mbrojtje të mjedisit, sport dhe turizëm.
Në mesin e projekteve të përmendura janë edhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, themelimi i një kompanie kombëtare ajrore dhe zhvillimi i resorteve turistike.
Sipas Qeverisë, përmes këtij buxheti synohet forcimi i shërbimeve publike, rritja e mirëqenies së qytetarëve dhe ruajtja e stabilitetit fiskal.
Reklamë







