Arijon Ibrahimovic konfirmon kontaktet me FFK-në: Për momentin, fokusi im është te Gjermania U21

Mesfushori me tipare sulmuese, Arijon Ibrahimovic, ka konfirmuar se ka pasur komunikim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), por për momentin nuk e ka në plan ndryshimin e përfaqësueses.
Futbollisti 20-vjeçar, i cili është në pronësi të Bayern Munichut dhe aktualisht është i huazuar te Augsburgu, ka folur për interesimin e Kosovës në një intervistë për mediat gjermane.
Reklamë
Ibrahimovic, i cili posedon edhe shtetësinë kosovare, ka pranuar se FFK-ja ka vendosur kontakte me të, duke vlerësuar njëkohësisht zhvillimin e futbollit në Kosovë.
“Po, tashmë ka pasur kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës. E ndjek me shumë respekt zhvillimin pozitiv të federatës dhe futbollit kosovar. Megjithatë, për momentin fokusi im është te Kombëtarja U21 e Gjermanisë, ku jam shumë i lumtur që luaj”, ka deklaruar ai.
Pavarësisht interesimit të Kosovës, mesfushori nuk ka dhënë ndonjë sinjal për një ndryshim të mundshëm të përfaqësueses, duke bërë të qartë se aktualisht është i përqendruar te Gjermania U21.
Gjatë intervistës, ai është pyetur edhe nëse ka pasur ndonjë kontakt me Jürgen Kloppin, i cili së fundmi është përfshirë në zhvillimet e futbollit gjerman, por përgjigjja e tij ishte e shkurtër: “Jo, deri më tani jo”.
Kështu, emri i Arijon Ibrahimovicit mbetet në vëmendjen e futbollit kosovar, ndërsa vendimi për përfaqësuesen me të cilën do të luajë në të ardhmen mbetet ende i hapur.
Reklamë










