Mbrëmje historike në Prizren, Liria luan për herë të parë nën dritën e reflektorëve

Liria e Prizrenit po përgatitet për një mbrëmje të veçantë futbolli, pasi për herë të parë në histori do të zhvillojë një ndeshje nën dritën e reflektorëve në stadiumin legjendar “Përparim Thaçi”.
Skuadra prizrenase ka paralajmëruar këtë ngjarje përmes një njoftimi në faqen zyrtare, duke iu drejtuar tifozëve me mesazhin “Prizren, a jeni gati?”, në prag të përballjes me Rilindjen 1974, e vlefshme për javën e 17-të të Ligës së Parë të Kosovës.
Reklamë
Ky takim, i cili do të zhvillohet të dielën nga ora 17:00, do të ketë një rëndësi të veçantë për futbollin prizrenas, pasi për herë të parë stadiumi “Përparim Thaçi” do të presë një ndeshje në mbrëmje nën ndriçimin e reflektorëve.
Kjo ngjarje vjen në një periudhë mjaft pozitive për Lirinë, e cila po kalon një sezon fantastik dhe aktualisht kryeson bindshëm renditjen e Ligës së Parë.
Pas 16 xhirove të zhvilluara, skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi ka grumbulluar 39 pikë, gjashtë më shumë se Prishtina e Re, që renditet e dyta me 33 pikë, ndërsa Ferizaj zë pozitën e tretë me 30 pikë.
Liria tashmë është shpallur kampione vjeshtore dhe po vazhdon me hapa të sigurt drejt objektivit kryesor, rikthimit në elitën e futbollit kosovar.
Përballë saj këtë fundjavë do të jetë Rilindja 1974, e cila renditet në pjesën e sipërme të tabelës dhe do të tentojë të marrë rezultat pozitiv në një udhëtim të vështirë në Prizren.
Përveç rëndësisë sportive, kjo përballje do të jetë edhe një festë për tifozët prizrenas, të cilët për herë të parë do të kenë mundësinë ta shijojnë futbollin në stadiumin e tyre nën dritën e reflektorëve.
Ndërkohë, Liria ka kaluar edhe nëpër një proces ndryshimesh në strukturën drejtuese gjatë këtij sezoni, ku në udhëheqje janë vendosur Agon Elshani dhe Fati Namlegjiu, Arben Ahmeti në pozitën e drejtorit të përgjithshëm, si dhe ish-futbollisti Valon Bytyqi në rolin e drejtorit sportiv.
Për rëndësinë e kësaj ngjarjeje ka folur edhe drejtori i përgjithshëm i klubit, Arben Ahmeti, i cili përmes një postimi në Facebook ka ftuar qytetarët dhe tifozët që të jenë sa më të shumtë në stadium.
“Ky të diel, Prizreni do të përjetojë një moment historik. Për herë të parë në historinë e qytetit tonë, një ndeshje futbolli do të zhvillohet në mbrëmje, nën dritën e reflektorëve të stadiumit.
Dhe pikërisht në këtë mbrëmje të veçantë, ne kemi mundësinë të festojmë edhe një tjetër sukses: shpalljen e KF Liria kampion vjeshtor! Prandaj, ftesa ime është e sinqertë dhe vjen nga zemra: të dielën, në orën 17:00, ejani sa më shumë në stadiumin e qytetit”, ka shkruar Ahmeti.
Kështu, Prizreni po bëhet gati për një mbrëmje që pritet të mbetet e veçantë në historinë sportive të qytetit, me Lirinë që synon ta kurorëzojë këtë moment edhe me një tjetër fitore
Reklamë









