Publikohet orari i xhiros së 14-të në Superligë, pesë ndeshje në tri ditë

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur orarin zyrtar të ndeshjeve të xhiros së 14-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, e cila do të zhvillohet gjatë tri ditëve, nga 20 deri më 22 nëntor.
Kjo xhiro do të hapet të premten me një përballje interesante ndërmjet Prishtinës dhe Drenicës, që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 17:00.
Reklamë
Programi vazhdon të shtunën me dy takime që janë caktuar të nisin nga ora 13:00. Llapi do të jetë nikoqir i Vushtrrisë në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ndërsa Malisheva do të përballet me Dukagjinin në stadiumin “Liman Gegaj”.
Ndërkohë, dy sfidat e fundit të kësaj xhiroje do të zhvillohen të dielën.
Ballkani do të kërkojë pikët e radhës përballë Gjilanit në stadiumin e qytetit në Suharekë, në një ndeshje që nis në orën 13:00.
Në anën tjetër, Drita do të përballet me Feronikelin ’74 në stadiumin me bar artificial në Gjilan, me fillim nga ora 15:00.
Kështu, pesë ndeshje janë në program për tri ditë, në një tjetër xhiro të kampionatit elitar të futbollit kosovar, ku skuadrat do të synojnë të marrin pikë të rëndësishme në garën për objektivat e tyre sezonale.
Reklamë










