Kalo te përmbajtja
Të fundit

Federatat sportive të Kosovës alarmojnë për mungesën e financimit, institucioneve u japin afat shtatë ditë

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Federatat sportive të Kosovës alarmojnë për mungesën e financimit, institucioneve u japin afat shtatë ditë

Shumica e federatave sportive në Kosovë kanë ngritur shqetësimin për vonesat e vazhdueshme në realizimin e financimit publik, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse shlyerjen e obligimeve financiare dhe prezantimin e një plani konkret të pagesave brenda shtatë ditësh.

Përmes një deklarate të përbashkët, përfaqësuesit e federatave kanë shprehur pakënaqësinë me situatën aktuale financiare të sportit të organizuar në vend, duke theksuar se vonesat po ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e tyre.

Reklamë

Deklarata vjen pas takimit të mbajtur më 18 nëntor në Prishtinë, ku federatat kanë diskutuar për problemet me të cilat po përballen gjatë këtij viti. Sipas tyre, një numër i madh i federatave nuk kanë përfituar këstet e parapara financiare nga institucionet, ndonëse këto obligime janë përcaktuar në memorandumet e bashkëpunimit me ministrinë përgjegjëse për sportin.

Në disa raste, deri në muajin nëntor janë ekzekutuar vetëm pagesat për tremujorin e parë, duke krijuar vështirësi të mëdha në përmbushjen e detyrimeve ndaj klubeve, sportistëve dhe trajnerëve, por edhe në organizimin e garave brenda dhe jashtë vendit.

Përballë kësaj situate, federatat kanë paraqitur disa kërkesa konkrete. Ato kërkojnë ekzekutimin e menjëhershëm të mjeteve të mbetura pa u paguar, sqarimin transparent të arsyeve që kanë shkaktuar vonesat, si dhe hartimin e një kalendari të sigurt të pagesave.

Po ashtu, kërkohet krijimi i një mekanizmi që do të garantonte financim të rregullt dhe të qëndrueshëm për federatat edhe në vitet e ardhshme.

Një ndër kërkesat kryesore është edhe mbajtja e një takimi të përbashkët me Ministrinë përgjegjëse për Sportin, Agjencinë e Sportit dhe Komitetin Olimpik të Kosovës, me synimin që të gjenden zgjidhje konkrete për tejkalimin e kësaj situate.

Federatat u kanë dhënë institucioneve afat prej shtatë ditësh kalendarike, nga momenti i dorëzimit të deklaratës, për të kthyer përgjigje zyrtare dhe për të prezantuar një plan të qartë veprimi.

Në rast se kërkesat e tyre nuk marrin përgjigjen e duhur brenda këtij afati, ato paralajmërojnë mundësinë e ndërmarrjes së hapave të përbashkët, përfshirë edhe rishikimin e organizimit të aktiviteteve sportive.

Sipas përfaqësuesve të federatave, mungesa e mbështetjes financiare po ua pamundëson përmbushjen e përgjegjësive dhe obligimeve që kanë ndaj sportistëve dhe klubeve.

Në përfundim të deklaratës, federatat kanë theksuar se kjo nismë nuk përbën kundërshtim ndaj institucioneve, por është një kërkesë për përgjegjësi, bashkëpunim dhe respektim të zotimeve financiare ndaj sportit në Kosovë.

Reklamë