Përgatiti: Nora Luta
Nën përcjellje të Policisë e nga burgu, Millorad Gjokoviq, të martën, ka ardhur sërish në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
61-vjeçari në seancën fillestare e kishte mohuar fajësinë për krime lufte dhe përfshirjen në vrasjen e 14 civilëve në Ozdrim të Pejës. Por nga provat e përmbledhura që Prokuroria Speciale i paraqiti në fjalën hyrëse, dëshmohet e kundërta.
Për rolin e të akuzuarit në vrasjen e civilëve shqiptarë në maj të 1999-s, PSRK-ja thotë se ka siguruar dëshmitarë okularë.
Prokurori Ilir Morina thotë se gjatë këtij gjykimi do të vërtetohet se Gjokoviq ka qenë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, ekzistenca e së cilës gjatë luftës në Kosovë, sipas tij, është vërtetuar nga Tribunali i Hagës.
Gjokoviq akuzohet në bashkëkryerje me persona të tjerë edhe për torturë, rrahje, dëbim e shkatërrim të shtëpive të shumë civilëve shqiptarë. Por, mbrojtja pretendon se ai gjatë kësaj periudhe nuk ishte në Kosovë.
“Nuk e kundërshtojmë që ka ndodhur ngjarja, por që i pandehuri ka marrë pjesë në kryerjen e këtyre veprave penale. Ne kemi alibi se ai nuk ka qenë në Ozdrim gjatë asaj periudhe”, tha Vasilije Arsiq, avokat i M. Djokoviqit.
E kërkesa e Gjokoviqit që të pajiset me shkresat e lëndës, nxiti reagime të prokurorit dhe mbrojtjes së tij.
Sqarimi erdhi nga kryetari i trupit gjykues, i cili edhe u dha vërejtje dy palëve.
Gjokoviq, i cili pas luftës kishte punuar si zyrtar komunal në komunën paralele të Pejës, ndodhet në paraburgim nga viti i kaluar.





