Përgatiti: Nora Luta
Për dhunën fizike që pretendon se ia shkaktoi Zlatan Arsiq, gjatë periudhës së luftës, Besim Muhaxheri ka rrëfyer të enjten, para trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Derisa po lëvizte rrugëve të Kamenicës, në mars të 1999-s, me pako cigaresh në duar, policia serbe e kishte ndaluar, sipas tij, duke i thënë se i ka marrë për UÇK-në.
Në mesin e policëve ishte Arsiq, i cili akuzohet për krime lufte, dhe krime kundër njerëzimit.
Ai është arsyetuar se ka qenë për shumë vjet jashtë Kosovës, kur është pyetur nga prokurori Atdhe Dema, se pse kishte pritur deri në vitin 2015 për ta denoncuar Arsiqin, kur edhe e kishte parë për herë të parë që nga dita kritike.
“Kur e pashë Zlatanin m’u dok që më ra tavani në kry”, tha Besim Muhaxheri, dëshmitar.
Por ekipi mbrojtës i Arsiqit, e ka vënë në pikëpyetje kredibilitetin e Muhaxherit, duke e ballafaquar me deklaratat e tij të dhëna më herët në Polici dhe të enjten gjatë gjykimit.
“Në deklaratën e datës 16.04.2015, rrahja dhe maltretimi keni thënë që ka zgjatur 1 orë e gjysmë, sot thatë 5 deri 10 minuta, keni thanë Zlatani ua ka djegë shpinë, e këtu po thoni që nuk e dini, thatë që as emrin niherë nuk ia dinit”, tha Vasilja Arsiq, avokat i Zlatan Arsiqit.
Për deklaratat kundërthënëse dëshmitari u sfidua me pyetje edhe nga trupi gjykues.
Muhaxheri mund të ulet sërish në bankën e dëshmitarit, pasi Gjykata e ka rezervuar të drejtën ta ftojë nëse dëshmohet që është një deklaratë e tij e dhënë në Polici, në Kamenicë, më 18 mars të 2015-s.
Kjo erdhi pasi mbrojtja kërkoi të verifikohet nëse e njëjta është edhe me shkrim, apo vetëm verbalisht siç pretendon dëshmitari.
Zlatan Arsiq, i cili gjatë 20 vjetëve të kaluara shërbeu në Policinë e Kosovës, u arrestua në mars të vitit të kaluar.





