Qytetaret ankohen se çmimet e produkteve ushqimore që po vazhdojnë të rriten, po e bëjnë jetesën gjithnjë e më të vështirë.
Ata thonë se me rrogat dhe pensionet e ulëta nuk po arrijnë të mbulojnë as shpenzimet më të thjeshta.
“Çmimet janë të larta për tepërmi, rrogat e dobëta, sidomos të pensionisteve. Me 200, apo 120 euro nuk mund të marrësh asgjë hiq. Mirëpo, nuk kemi çfarë të bëjmë, këtu udhëheqësi dhe gjitha qeveritë e kanë bërë kështu. Për të varfrit nuk mendojnë fare.. Shtrenjtë janë shumë me standardin tonë…Ka 3 euro specat, domatet ashtu në disa vende…Ai që ka të holla blen çfarë të duan, ai që s’ka shkon ashtu…për shkak të çmimeve të larta, rrogat e dobëta, edhe nuk mund të ushqehemi qysh duhet, më dobët…shëndetshëm”, tha një qytetar për KP.
Ndërkaq njohësit e ekonomisë, thonë se institucionet nuk kanë ndonjë plan efikas që të monitorojnë rritjen apo abuzimin me çmimet në treg.
“Vitet e fundit nuk ka pas ndonjë reformë strukturore ekonomike sidomos tek politika fiskale. Siç duket subvencionet dhe grantet që janë dhënë për bujqësi nuk e kanë dhënë efektin e duhur në rritjen e kapaciteteve prodhuese në Kosovë. Përderisa shumica e produkteve po importohen, natyrisht se edhe çmimet i nënshtrohen politikes së importeve. Por, si duket edhe institucionet tjera monitoruese nuk po arrin të mbikëqyrin ligjshmërinë e tregut. Edhe autoriteti i konkurrencës, por edhe MINT nuk kanë ndonjë plan efikas të monitorojnë rritjen apo abuzimin me çmimin në treg. Dhe këto rritje të çmimeve janë enorme. Sidomos nëse flasim për specin, një produkt që është shumë i kultivuar në Kosovë dhe produkt që para tre vitesh shembull e ka pas një çmim as 2 euro në këtë kohë, sot e ka mbi 5 euro…Duhet të rritet kapaciteti i prodhimit, sot është një shumë e madhe që Ministria e Bujqësisë ndan për fermerët e ndryshëm, por pos shifrave që japin qeveritaret që është shifër e madhe, miliona euro për rritje të kapaciteteve, pro si duket rezultati është zero…Por, ka edhe abuzim me çmime”, thotë njohësi i ekonomisë, Ismet Mulaj.