Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Skenderaj, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës për presion dhe demonstrim force përmes angazhimit të njësive speciale të Policisë së Kosovës në rajonin e Drenicës.
Hamza tha se mbrëmë janë parë “skena aspak të mira”, derisa sipas tij, Policia e Kosovës ka vepruar me urdhër të Qeverisë.
“Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force”, deklaroi Hamza.
Ai i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndalë, siç u shpreh ai, propagandën, gjuhën e urrejtjes dhe provokimet politike.
“E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë”, tha kreu i PDK-së.
Hamza shtoi se, sipas tij, “nuk mund të parandalohet braktisja nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës”.
“Ndalu, Albin”, shkruan ai.
Hamza u bëri thirrje votuesve të PDK-së dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të fokusohen tek zgjedhjet e 7 qershorit.





