Pas më shumë se 20 vjetëve, Samantha Power, dikur gazetare, erdhi sërish në Kosovë.
Por këtë herë nga pozita e shefes së Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe anëtares së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në administratën Biden.
Power bëri të ditur se nga kjo administratë, përparimi në dialog shihet si urgjencë.
“Kam ardhur që të përforcoj mesazhin që Administrata e Bidenit e ka thënë në lidhje me rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes, që do të prodhojë një normalizim që do të jetë i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë. Normalizimi do të jetë i dobishëm edhe për zhvillimin ekonomik. Kemi pasur bisedime të gjera në orët e fundit, në lidhje me urgjencën e krijimit të Asociacionit, si dhe urgjencën për zbatimin e plotë të të gjitha aspekteve të marrëveshjes”, tha Power.
Administratorja Power, e cila në Prishtinë erdhi pasi vizitoi Beogradin dhe takoi krerët e shtetit serb, përsëriti qëndrimet e shprehura më herët për parimet mbi të cilat duhet të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe për njohjen reciproke në fund.
Shefja e USAD-it bashkë me kryeministrin Kurti, dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lansuan ankandin e parë për parkun me energji solare.
Projekti, sipas Kurtit e Rizvanollit, do të ndikojë përveç tjerash edhe në mbrojtjen e mjedisit.
Administratorja e USAID-it, Samantha Power, nesër takohet me presidenten Vjosa Osmani. /atvlive.tv