PËRGATITI: BENITA ZENELI
Themelimi i Bankës Zhvillimore ishte njëri prej disa premtimeve të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ndonëse zgjedhjet i kishte fituar dhe mandati i tij katërvjeçar është afër përfundimit, Banka Zhvillimore mbeti vetëm në listën premtimeve të parealizuara gjatë gati 4 vjetëve.
“Ai e ka premtuar, por kur e ka marrë mandatin e ka parë që nuk mund të realizojë asgjë, s’është i aftë me ekipin që e ka zgjedhë nuk mund të realizojnë asgjë. Përveç problemeve që i kanë shkaktuar në veri si ngjarje me mbajtë opinionin të ndezur, por nuk ndikon asgjë në ngritjen e standardit, në zhvillim ekonomik në ecjen përpara të Kosovës”, tha ish-ministri i financave, Haki Shatri.
Ndërkohë, nga Lëvizja FOL vlerësojnë se pushteti nuk ka pasur përkushtim të mjaftueshëm sa i përket zhvillimit ekonomik.
“Do t’i kontribuonte zhvillimit të ekonomisë, sidomos sektorit privat, sepse është parë që këtë qeverisje sektori privat ka qenë shumë më i shtypur. Në shumë investime ekonomike nuk kanë shkuar ashtu siç duhet apo kanë mbetur të parealizuara shumica prej tyre.”, deklaroi Viona Bunjaku nga Lëvizja ‘FOL’.
Mosthemelimin e Bankës Zhvillimore e kritikojnë edhe njohësit e ekonomisë duke vlerësuar se do të kishte ndikim pozitiv në ekonomi e sidomos për të rinjtë.
“Banka zhvillimore do të kishte ndikim në krijimin e bizneseve të reja, sidomos në ato ku papunësia është më e larta ku kemi shembullin e vajzave deri në 30 vjeç që papunësia është shumë e lartë si dhe të rinj që kanë ide të shumta për biznes, por që bankat ekzistues pa pasur një qarkullim nuk i financojnë. Kjo gjithashtu do të zvogëlonte edhe potencialin për migrim”, tha profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi.
Bazuar në programin qeveritar, Banka Zhvillimore do të ishte mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve.
Ajo parashihej të ishte komponenti kreditues, që do të financohej nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësimin e bilancit tregtar./atvlive.tv/
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:






