Shqipëria ka pësuar humbje 2-1 në transfertë ndaj Finlandës, në ndeshjen e Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme, por kartoni i kuq i Etrit Berishës ndryshoi rrjedhën e takimit.
Shqipëria kaloi në avantazh që në minutën e katërt. Rey Manaj shënoi me kokë pas një harkimi të saktë të Kristjan Asllanit nga këndorja, duke i dhënë skuadrës shqiptare një nisje perfekte.
Por në minutën e 22-të, Berisha u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje jashtë zonës. Kuqezinjtë mbetën me dhjetë lojtarë dhe kjo i dha Finlandës mundësinë të merrte kontrollin e takimit.
Vetëm pak minuta më vonë, Leo Walta barazoi rezultatin me goditje dënimi, duke mposhtur Alen Sherrin, i cili u aktivizua në vend të Arbër Hoxhës.
Pavarësisht inferioritetit numerik, Shqipëria rezistoi deri në fund të pjesës së parë, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me rezultatin 1-1.
Në pjesën e dytë, Finlanda rriti presionin dhe në minutën e 71-të Walta shënoi sërish nga goditja e dënimit, duke përmbysur rezultatin në 2-1.
Kuqezinjtë tentuan të reagojnë në minutat e fundit, por nuk arritën të gjenin golin e barazimit dhe u larguan nga Finlanda pa pikë.
Pas kësaj humbjeje, Shqipëria mbetet në vendin e dytë me gjashtë pikë, ndërsa Finlanda ngjitet në krye të grupit me shtatë pikë.





