PËRGATITI: ARTON HAMITI
Agjencia Qendrore e Prokurimit pas gati 3 vjetësh funksionimi me ushtrues detyre, pritet të bëhet me drejtor fuqiplotë. Por, konkursi për përzgjedhjen e drejtorit ekzekutiv të AQP-së, ka disa parregullsi.
Ministria e Financave i ka tejkaluar dispozitat ligjore për kriteret kualifikuese, duke lënë anash kriterin e përvojës së punës në fushën e prokurimit.
Teksa në shpallje nuk përmendet askund, neni 96 i Ligjit për Prokurim publik parasheh që kandidati për këtë pozitë të ketë “përvojë të konsiderueshme në prokurim”.
“Janë dy elemente kryesore që nuk janë përfshi në konkurs e që kanë të bëjnë fillimisht me përvojën e punës që duhet ta ketë kandidati, e që është përvoja e konsiderueshme në fushën e prokurimit publik. Nuk ka kuptim që kandidati të mos ketë përvojë në fushën e prokurimit, kur mandati dhe krejt puna e institucionit ka të bëjë me prokurim. Po ashtu, ka të bëjë me mandatin e drejtorit të AQP-së sepse në konkurs është thënë se mandati do të jetë 4–vjeçar,ndërkohë ligji i prokurimit publik e parasheh 3 vjet”, deklaroi Albulena Nrecaj, INPO.
Këto nuk janë telashet e vetme që i ka konkursi për drejtor të ri të AQP-së.
“Ndryshe nga sa përcaktojnë provizionet ligjore, konkursi është shpallur vetëm në platformën e SIMBNJ-së, ndërkaq MFTP-ja nuk ka përfillur rregullin e publikimit në Ueb-faqen zyrtare të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, apo në ndonjë mjetet e informimit, përfshirë rrjetet sociale”, shtoi tutje ai.
Duke i marrë parasysh dy shkeljet ligjore të lartcekuradhe mungesën e transparencës, sipas Albulena Nrecajt nga INPO, ka dyshime që kjo pozitë është rezervuar për dikë.
“Duke i përmendur mungesën e kritereve bazë dhe kur e shohim që konkursi nuk është promovuar sa duhet, lehtë ngrihen dyshime se pozita është premtuar për dikë.”
Televizioni ka tentuar gjatë ditës të marrë qëndrim nga Ministria e Financave në lidhje me këto pretendime, por deri në transmetimin e kësaj kronike nuk pati përgjigje.
Konkursi për drejtor ekzekutiv të Agjencisë Qendrore të Prokurimit do të jetë i hapur deri më 22 gusht./atvlive.tv
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:






