PËRGATITI: NORA LUTA
Projektligji për punëtorët e administratës së Gjykatave dhe Prokurorive, pavarësisht që ka kaluar dy faza të konsultimeve, nuk do të finalizohet si ligj i veçantë.
Pavarësisht premtimeve, pas nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët të Zotimeve mes Ministrisë së Drejtësisëdhe Këshillit Prokurorial e atij Gjyqësor, Ministria njëanshëm ka vendosur që dispozitat e ligjit t’i përfshijë në ligje të tjera.
Nga ky dikaster thonë se ato pritet të miratohen në shtator në Qeveri. Megjithatë, nuk ka bërë të ditur se në cilat ligje do të përfshihen.
Pas pranimit të komenteve, është vendosur që këto dispozita të përfshihen në ligjet e tjera përkatëse për gjyqësorin, përkatësisht sistemin prokurorial, të cilat tani janë në fazën finale, kur pritet që gjatë muajit shtator të përcillen për miratim në Qeveri. Dispozitat në fjalë përcaktojnë rregullat për nëpunësit e administratës në institucionin e sistemit të drejtësisë dhe kanë për qëllim rritjen e efikasitetit, llogaridhënies, transparencës, si dhe shërbimeve cilësore. Gjithashtu, përmes këtyre dispozitave krijohet baza për rregullimin, menaxhimin dhe organizimin e administratës së gjykatave dhe prokurorive.
Ky veprim i Ministrisë, sipas Sindikatës së punëtorëve të Prokurorisë, është cenim i rëndë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ata janë shprehur të indinjuar se nuk kanë qenë të informuar rreth vendimit të MD-së, për çka kanë theksuar se do t’i shqyrtojnë të gjitha masat e kundërshtimit, duke mos e përjashtuar as grevën.
Kritika rreth veprimit të njëanshëm të Ministrisë së Drejtësisë ka edhe shoqëria civile, anëtarë të së cilës ishin pjesë e grupit punues për hartimin e ligjit.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Gjykatës së Prishtinës, Naim Rrustemi i ka thënë ATV-së se ka besim të plotë në Këshillin Gjyqësor rreth finalizimit të ligjit.
Megjithatë, nga KGJK-ja, përmes një përgjigje me shkrim kanë thënë për televizionin se Ministria ka mandat për hartimin e ligjit, dhe nga ky dikaster duhet të kërkohen detaje.






