PËRGATITI: FATLUM JASHARI
Derisa kryeministri Albin Kurti këmbëngul se diskutimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, si çështje në kuadër të dialogut, është mbyllur në vitin 2017, Bashkimi Evropian pret që kjo temë të adresohet sërish në Bruksel.
Megjithëkëtë, duke folur për mundësinë e organizimit të një takimi të ri në kuadër të dialogut, zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, nuk e përmendi asnjëherë Serbinë teksa tregoi se me kë po diskuton BE-ja për urën.
“Ne jemi të angazhuar me partnerët në Kosovë dhe komunitetin ndërkombëtar për të shmangur çfarëdo hapi të njëanshëm dhe të pakoordinuar që mund të ketë më shumë ndikim negativ dhe pasoja, jo vetëm në komunitetet e prekur, por edhe në administratën kosovare dhe Qeverinë në Prishtinë. Qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Nuk kam datë për takim të cilën mund ta njoftoj tani, por qëndrimi i BE-së dhe i të gjithë partnerëve të BE-së është shumë i qartë kur bëhet fjalë për atë se si duhet ta trajtojmë rihapjen e urës dhe kjo po diskutohet me Prishtinën dhe partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi Stano.
Edhe pse për hapjen e urës ka një marrëveshje dhe plan veprimi, të dakorduara në dialogun e Brukselit, BE-ja këmbëngul në qëndrimin e shprehur javë më parë.
“Ky është pikëvështrimi i të gjithë partnerëve dhe aleatëve të Kosovës. Autoritetet e Kosovës do t’i bënin një shërbim të mirë vetes dhe qytetarëve të tyre, nëse do të dëgjonin dhe do t’ua vinin veshin mesazheve nga partnerët dhe aleatët”, shtoi tutje Stano.
Për urën, presidentja Vjosa Osmani diskutoi në dy takime të ndryshme – me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge, si dhe me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves.
Në të dyja takimet, sipas njoftimeve, presidentja theksoi se plani i zbatimit për hapjen e urës duhet të bëhet në konsultim dhe koordinim midis institucioneve kosovare dhe partnerëve të sigurisë – pa e përmendur BE-në.
Të hënën, kryeministri Albin Kurti tha se “nuk do t’i befasojë aleatët” me veprime, por shtoi se “nuk do të lejojë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht”./atvlive.tv/
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:






