Në mars të vitit 1999, forcat serbe i kishin marrë kufomat e tetë pacientëve nga Spitali i Prishtinës, dhe pa dijeninë e familjarëve i kishin varrosur në lagjen Mati 1.
Disa prej tyre u gjetën e u identifikuan nga ekipet ndërkombëtare menjëherë pas luftës.
“5 prej tyre. Pak kohë më vonë. Një tjetër është gjetur në vitin 2011…”, tha Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Ndërsa, për dy të tjerë, kërkimet vazhduan këtë të enjte.
“Një nga ata që po kërkohet është Gani Baleci. Ne po gërmojmë në bazë të informacioneve që kemi nga ndërkombëtarët dhe një dëshmitari shqiptar”, tha kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.
Megjithatë, rezultatet nuk dolën ashtu siç pritej.
“Kemi gërmuar sot, por nuk kemi gjetur mbetje mortore nga dy personat që po i kërkojmë”, tha antropologu mjekoligjor në IML, Ditor Haliti.
Por, kërkimet në këtë lokacion nuk do të ndalen këtu.
“Bazuar në këshillat e ekspertëve, në këtë lokacion do të kthehemi sërish ditëve në vijim…”, tha Gara.
Përveç Matit 1, për mbetje mortore do të kërkohet edhe në lokacione të tjera.
“Ditëve në vazhdim do të gërmojmë në një lokacion në Podujevë, derisa në dy të tjera do të kthehemi sërish…”, tha Haliti.
Përfshirë mbetjet mortore të personave që u kërkuan në këtë lagje të kryeqytetit, gjithsej të zhdukur nga lufta e fundit mbeten 1617 persona. /atvlive.tv
Edicionin Qendror te lajmeve e gjeni në videon më poshtë: