Përgatiti: Nora Luta
Të paktën në dy vitet e fundit zyrtarët policorë në Istog e në Fushë-Kosovë ballafaqohen me mungesë të uniformës. Përveç veshmbathjeve adekuate, Inspektorati Policor gjatë inspektimit ka hasur në mungesë të jelekëve antiplumb, spërkatësve kimikë dhe radio-lidhjeve.
Në raportet e publikuara për dy stacionet veç e veç, IPK-ja ka dhënë pothuajse vërejtjet dhe rekomandimet e njëjta.
“Zyrtarët policorë kanë mungesë të këpucëve dhe çizmeve për punë. Zyrtaret policore, në mungesë të këmishëve adekuate, janë të detyruar të veshin këmishë për meshkuj. IPK-ja i rekomandon Drejtorisë së Logjistikës që në koordinim më Stacionin Policor të Fushë-Kosovës, të ndërmarrë veprime urgjente në furnizimin e zyrtarëve me uniforma policore. Për arsye të sigurisë, IPK-ja rekomandon furnizimin e stacionit me spërkatës kimikë, jelekë antiplumb dhe radiolidhje” thuhet në njoftimin e IPK-së.
Sipas ish-togerit të Policisë, tani avokat, kushtet e tilla të punës përveç që ndikojnë në performancë, rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policorë.
Sipas Rudarit, Policia detyrohet t’i marrë parasysh vërejtjet e IPK-së.
IPK-ja, gjithashtu, ka vërejtje sa iu përket dhomave për ruajtjen e dëshmive, duke rekomanduar të respektohen rregullat mbi paketimin e dëshmive të konfiskuara në material adekuat varësisht prej specifikave të tyre.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, e cila ka kompetencë për furnizim, e as Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë kthyer përgjigje, nëse kanë filluar të ndërmarrin ndonjë veprim rreth rekomandimeve dhe vërejtjeve të IPK-së.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:






