Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besiana Musmurati ka njoftuar se 700 nxënës të shkollave publike të Prishtinës po ndjekin këtë verë kurse falas të notit në Pishinën e Gërmisë.
Për zhvillimin e këtij programi nga afër kanë parë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarë komunalë. Programi ka nisur me iniciativën e drejtorit të Arsimit, Arianit Elshani, dhe drejtorit të Sportit, Granit G. Geci.
Sipas njoftimit të nënkryetares së Prishtinës, Besiana Musmurati, programi synon që përmes mësimit të notit fëmijëve t’u ofrohet një aftësi e rëndësishme jetësore, krahas promovimit të aktivitetit fizik.
“Noti nuk është vetëm sport. Është një aftësi jetësore që rrit sigurinë, vetëbesimin dhe mirëqenien e fëmijëve”, ka shkruar Musmurati.
Ajo ka theksuar se investimi në programe të tilla e bën qytetin më të mirë dhe më të orientuar drejt nevojave të fëmijëve. /Telegrafi/





