Transferimi i mundshëm i Mirlind Dakut te Spartak Moska vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në Rusi, ndërsa reagimet rreth sulmuesit shqiptar nuk kanë munguar.
Pak ditë më parë, grupi i tifozëve “Crazy North” doli publikisht kundër afrimit të 28-vjeçarit nga Rubin Kazani, duke publikuar një deklaratë me gjuhë fyese ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.
Në mbrojtje të Dakut ka dalë ish-futbollisti dhe legjenda e Spartakut, Andrei Tikhonov, i cili u bëri thirrje tifozëve që ta ndajnë futbollin nga politika dhe të shohin vetëm aspektin sportiv të transferimit.
“Spartaku ka nevojë për një sulmues. Ai do të marrë pagën e tij dhe për të është një mundësi e madhe të luajë për një klub si Spartaku. Është futboll, vëlla”, u shpreh Tikhonov në një intervistë për kanalin në YouTube.
Sipas raportimeve të mediave ruse, Spartak Moska ka arritur marrëveshje me Dakun për kushtet personale dhe zyrtarizimi i transferimit pritet të ndodhë së shpejti.
Sulmuesi shqiptar pritet ta mbyllë aventurën te Rubin Kazani pas dy sezoneve të suksesshme, gjatë të cilave regjistroi 38 gola në 93 ndeshje, duke u renditur ndër sulmuesit më efikas të kampionatit rus.
Edhe pse një pjesë e tifozëve vazhdon ta kundërshtojë afrimin e tij, drejtuesit e Spartakut e shohin Dakun si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv, ndërsa zyrtarizimi i marrëveshjes duket vetëm çështje kohe.





