Curry vazhdon me Warriors, kontrata e re mund ta mbyllë karrierën në Golden State

Stephen Curry do të vazhdojë të jetë pjesë e Golden State Warriors, pasi ylli amerikan ka firmosur një kontratë të re dyvjeçare, me vlerë prej 116 milionë dollarësh.

Marrëveshja e re përfshin edhe një opsion lojtari për sezonin 2028/29, duke i hapur rrugë Curry-t që ta përfundojë karrierën e tij 20-vjeçare në NBA me fanellën e Warriors.

Curry, i cili është 38-vjeçar, do të përfitojë 62.5 milionë dollarë gjatë sezonit të ardhshëm dhe më pas do të kishte mundësinë të bëhej lojtar i lirë. Megjithatë, ai ka vendosur të qëndrojë në Golden State dhe të vazhdojë projektin me skuadrën që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij në NBA.

Kontrata e re është rreth 20 milionë dollarë më e ulët se maksimumi për të cilin Curry ishte i kualifikuar, por kjo marrëveshje i krijon Warriors më shumë hapësirë financiare për të ndërhyrë në merkato dhe për të forcuar skuadrën.

Vetë Curry kishte deklaruar më herët se e ardhmja e tij kontraktuale nuk do të ndikonte në paraqitjet e tij apo në atmosferën brenda ekipit.

“Nuk dua që të ketë dramë”, kishte deklaruar ai.

I konsideruar si një prej gjuajtësve më të mëdhenj për treshe në historinë e NBA-së, Curry synon të udhëheqë sërish Warriors drejt luftës për titullin e kampionit. Ai ka fituar katër unaza kampioni me Golden State, por skuadra nuk e ka ngritur trofeun që nga sezoni 2021/22.

Në katër sezonet e fundit, Warriors kanë mbetur jashtë play-off-it në dy raste, ndërsa sezonin e kaluar e mbyllën me bilanc prej 37 fitoreve dhe 45 humbjeve.

Edhe për Curry, dy sezonet e fundit kanë qenë më të vështira sa i përket efikasitetit nga distanca. Për herë të parë në karrierën e tij, ai ka realizuar 40 për qind ose më pak të gjuajtjeve për tri pikë në dy sezone radhazi.

12 herë All-Star, Curry luajti vetëm 43 ndeshje sezonin e kaluar për shkak të disa problemeve fizike, përfshirë shqetësimet me gjurin, dëmtimin e kockës dhe një lëndim në kuadricepsin e majtë.

Megjithatë, rekordi individual mbetet një tjetër objektiv për yllin e Warriors. Curry ka nevojë për vetëm 141 pikë për t’u futur në top-20 të lojtarëve me më shumë pikë në historinë e NBA-së, ndërsa i duhen edhe 353 asistime për të arritur të njëjtën kuotë në këtë kategori.

Dy herë MVP i NBA-së ka kështu mundësinë t’i bashkohet LeBron James, James Harden dhe Oscar Robertson si lojtarët e vetëm në historinë e ligës që renditen në top-20 si për pikë, ashtu edhe për asistime.

Sezoni i ri për Golden State Warriors nis më 21 tetor 2026, kur do të përballen me Los Angeles Lakers.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA