Diego Simeone ka përsëritur qëndrimin e Atletico Madridit për Julian Alvarezin, duke bërë të qartë se klubi madrilen nuk dëshiron të ndahet me sulmuesin argjentinas, pavarësisht interesimit të madh të Barcelonës.
Barcelona ka shfaqur disa herë gjatë kësaj vere dëshirën për të transferuar Alvarezin dhe madje ka paraqitur një ofertë prej 100 milionë eurosh, e cila është refuzuar nga Atletico Madridi.
Drejtuesit e klubit katalanas nuk kanë hequr dorë dhe po shqyrtojnë mundësinë për të rritur ofertën në rreth 120-130 milionë euro. Megjithatë, situata mbetet e komplikuar, pasi Atletico nuk dëshiron ta shesë sulmuesin.
Për më tepër, dëshira e Alvarezit për t’u transferuar në “Camp Nou” i ka dhënë Barcelonës shpresë për një marrëveshje. Por nga Madridi vjen një mesazh i qartë: Atletico dëshiron që argjentinasi të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës.
Trajneri Diego Simeone ka konfirmuar edhe një herë qëndrimin e klubit, duke theksuar se vendimi për të ardhmen e Alvarezit është marrë.
“Situata është shumë e qartë. Klubi mori një vendim që Miguel Ángel e shpjegoi shumë mirë. Jemi shumë të lumtur me Julianin dhe, nga një perspektivë sportive, do ta ndihmojmë të vazhdojë të rritet, të përmirësohet dhe të na kthejë atë që na ka dhënë në këto dy vite. Ka qenë një marrëveshje e shkëlqyer”, deklaroi Simeone.
Argjentinasi më pas foli edhe për situatën e përgjithshme në skuadër dhe nevojën që klubi të menaxhojë me kujdes situata të tilla.
“Kemi disa probleme. E pamë tashmë se çfarë ndodhi me Griezmannin. Nuk shoh asnjë mënyrë tjetër përveçse të punojmë nga një perspektivë sportive siç duhet dhe të përpiqemi të ndihmojmë, ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre dy viteve”, përfundoi trajneri i Atletico Madridit.
Pavarësisht qëndrimit të Simeones dhe Atletico Madridit, Barcelona vazhdon ta shohë Alvarezin si një prej objektivave kryesorë të merkatos.
Sulmuesi argjentinas është kthyer në një prej figurave kryesore të Atletico Madridit që prej transferimit të tij nga Manchester City dhe paraqitjet e tij në dy sezonet e fundit kanë rritur edhe më shumë interesimin e klubeve të mëdha evropiane.
Tashmë, mbetet për t’u parë nëse një ofertë e Barcelonës në vlerën 120-130 milionë euro do të mjaftojë për të ndryshuar qëndrimin e Atletico Madridit apo nëse Simeone do ta ketë Alvarezin në dispozicion edhe për sezonin e ri.





