Kombëtarja e Kosovës ka marrë tri emra të rinj në grumbullimin për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Irlandës, Austrisë dhe Izraelit.
Erblin Osmani, Dion Kaçuri dhe Milot Avdyli janë ftuar për herë të parë në Kombëtaren A, duke bërë hapin e radhës në karrierën e tyre dhe duke iu bashkuar grupit të përzgjedhësit Franco Foda.
Tre futbollistët kanë folur për emocionet e tyre përmes një videoje të publikuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, duke treguar se çfarë do të thotë për ta veshja e fanellës së Dardanëve.
Osmani ka premtuar angazhim maksimal në këtë kapitull të ri, duke theksuar se do të japë gjithçka për fanellën e Kosovës.
Edhe Kaçuri nuk e ka fshehur emocionin për ftesën e parë. Ai është shprehur i lumtur dhe krenar që i është dhënë mundësia të jetë pjesë e Kombëtares A, ndërsa ka premtuar përkushtim maksimal në çdo ditë me Dardanët.
“Do të jap maksimumin çdo ditë për këtë fanellë. Forca Kosova!”, ka thënë Kaçuri.
Për Avdylin, kjo ftesë ka një domethënie të veçantë. Ai e ka cilësuar grumbullimin me Kombëtaren A si realizim të një ëndrre, duke kujtuar rrugëtimin e tij nga grupmoshat e Kosovës deri te ekipi i parë.
“Ëndërr e realizuar, zemra plot krenari. Tash gjithçka për Kosovën”, është shprehur Avdyli.
Me këto tri prurje, Kombëtarja e Kosovës po i jep mundësi një brezi të ri futbollistësh të provojnë veten në nivelin më të lartë, ndërsa për Osmanin, Kaçurin dhe Avdylin nis një kapitull i ri me fanellën e Dardanëve.





