Arsenali ka përfunduar zyrtarisht transferimin e Bruno Guimaraes nga Newcastle United. Mesfushori brazilian i është bashkuar “Topçinjve” në një marrëveshje që raportohet të ketë vlerën e 75 milionë paundëve, rreth 88 milionë euro.
Guimaraes ka firmosur një kontratë katërvjeçare me Arsenalin, me mundësi zgjatjeje edhe për një sezon tjetër. Marrëveshja mes dy klubeve angleze u arrit pas negociatave të gjata, ndërsa tashmë transferimi është zyrtarizuar.
“Jemi të kënaqur të njoftojmë se lojtari brazilian Bruno Guimaraes është bashkuar me ne nga Newcastle United me një kontratë afatgjatë”, thuhet në njoftimin e Arsenalit.
Transferimi i brazilianit shihet si një lëvizje e rëndësishme për skuadrën e Mikel Artetës. Trajneri spanjoll e ka admiruar Guimaraesin prej disa vitesh dhe e ka konsideruar prej kohësh si një futbollist që mund t’i japë më shumë forcë dhe kreativitet mesfushës së Arsenalit.
Tashmë, Arteta do të ketë në dispozicion një prej mesfushorëve më të vlerësuar të Premier League, i cili pritet të luajë një rol të rëndësishëm në objektivat e klubit londinez.
Guimaraes e mbylli sezonin e kaluar si kapiten i Newcastle United, duke qenë një prej liderëve kryesorë të skuadrës.
Në total, braziliani zhvilloi 41 paraqitje në të gjitha garat, duke realizuar nëntë gola dhe duke dhënë shtatë asistime.
Tani, pas një aventure të suksesshme në “St James’ Park”, Guimaraes nis një kapitull të ri në karrierën e tij me Arsenalin. Transferimi i tij pritet të jetë një prej lëvizjeve më të rëndësishme të klubit londinez në këtë merkato.





