Përgatiti: Fatlum Jashari
“Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z.Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë, e ftoj të nënshkruajë këtu, sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të Kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”, ka thënë mbrëmë kryeministri Albini Kurti në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte ngjarja e radhës, në të cilën kryeministri Abin Kurti këmbënguli në nënshkrimin e marrëveshjes bazë dhe shtojcës me Serbinë.
Krahas kritikave për mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së, përfaqësuesja e SHBA-së sqaroi se Brukseli është vendi për diskutimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Për të qenë e qartë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të jetë kanali për zgjidhjen e këtyre çështjeve që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve, jo Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, tha ambasadorja e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield.
Ajo kritikoi Kosovën në raport me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së.
Javën e kaluar, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se nënshkrimi i marrëveshjes dhe deponimi në OKB, është parakushti i parë për zbatim.
Pasi theksoi se dialogu Kosovë – Serbi është çështje e BE-së në aspektin ligjor, profesori Kadri Kryeziu vlerësoi se kërkesa e Qeverisë është e parealizueshme.
“Jo, nuk ka nevojë që marrëveshjet të përfundojnë në OKB, sepse janë marrëveshje ndërkombëtare të karakterit evropian dhe janë shtetet evropiane që po ndihmojnë që të arrihet një marrëveshje e përgjithshme, kështu që nuk ka sens që këto çështje të shkojnë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Kryeziu.
Teksa përmendi faktin se BE-ja dhe SHBA-ja i vlerësojnë ligjërisht obliguese marrëveshjen dhe shtojcën, politologu Fidan Ukaj këmbënguljen e Kosovës e lidh me atë që e cilësoi qasje destruktive të Serbisë në dialog.
“Edhe pse nuk ishte një mbledhje e thirrur për nënshkrim apo rreth marrëveshjes, mendoj se tregon ma shumë një gatishmëri të Kosovës, e po ashtu një mosbesim ndaj palës tjetër, duke e ditur se kryeministrja serbe Brnabic ka dërguar një letër në adresë të BE-së, në të cilët tregon se nuk është e gatshme t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes, por që do të ketë selektim”, tha Ukaj.
Më 2010, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë e cila njeh opinionin këshillëdhënës të GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe BE-në si lehtësues të procesit të dialogut.






