Përgatiti: Krenare Mulliqi
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, blerja e raketave amerikane, Javelin, është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Lajmi për blerjen e raketave ngjalli reagime pozitive në mesin e establishmentit kosovar e sipas njohësve të sigurisë, rasti i 24 shtatorit në Banjskë i ka hapur rrugë Kosovës të investojë më shumë në ushtri.
Për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit, ekzekutivi këtë vit ndau rreth 370 milionë euro apo 22 për qind më shumë se sa në vitin 2023. Fakti që Qeveria është duke i dhënë prioritet ushtrisë dhe mbrojtjes po vlerësohet.
Menjëherë pas publikimit të lajmit që Kosova ka kërkuar t’i blejë raketat Javelin, edhe Departamenti amerikan i Shtetit e konfirmoi duke thënë se vlera e tyre arrin në 75 milionë dollarë. Fjala është për 246 raketa kundërtanke që prodhohen nga vetë Amerika.
Kosova, edhe më herët është furnizuar me armë amerikane. Në vitin 2018, Qeveria e atëhershme kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General, për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.