Përgatiti: Arian Hajdaraj
Ky master-plan i kompleksit memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz, i projektuar nga Instituti për Shkencë dhe Teknologji, në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare, nuk u zgjodh fitues.
Andaj kompania u ankua dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit, pezulloi procedurën e prokurimit. Përfaqësuesi i konsorciumit, pretendon se në procedurë ndodhën disa shkelje.
“Shkeljet kryesore janë ligjore. Konkursi është me shifër me qëllim të trajtimit të barabartë. Një prej operatorëve e ka publiku emrin e vet. Për çudi tone komisioni i vendos një kod, kundërligjshëm dhe vazhdojnë procedurat”, tha Ismajl Baftjari nga INSI.
Ministria e Kulturës nuk u përgjigj lidhur me pretendimet e kësaj kompanie.
E në deklarimin e fundit, ministri Hajrullah Çeku thoshte se është në dijeni të procedurës.
“Ka përfundu konkursi ndërkombëtar. Kanë konkuru 3 kompani. Juria e ka zgjedhë projektin më të mirë. Aktualisht operatori që nuk ka fitu, ka bërë ankesë fillimisht në ministri, pastaj në OSHP. Ne duhet të presim deri në vendim të këtij organi”, tha Çeku.
Ndërkohë, kompania humbëse vazhdon të shpresojë që OSHP-ja do të marrë vendim pozitiv e të jetësohet master-plani i tyre.
“Pretendimet tona janë lehtësisht të verifikueshme, andaj presim vendim të OSHP-së…”, tha Baftjari.
Projekti për kompleksin memorial “Adem Jashari”, udhëhiqet nga komiteti ndërministror në udhëheqje të të cilit është kryeministri Albin Kurti.
Vetëm tenderi për master-planin i shpallur në muajin maj të 2023-tës, arrinte vlerën prej 3 milionë eurosh.





