Përgatiti: Driton Sadiku
Me qëllim të rritjes së investimeve dhe eksportit, Qeveria ka bërë plan që këtë vit ta themelojë agjencinë për investime dhe eksport, si pjesë e programit për reforma në ekonomi.
Kjo agjenci, sipas qeverisë, do të ketë për qëllim vendosjen dhe forcimin e bashkëpunimit të biznesit me furnizuesit vendas dhe promovimin e potencialit të eksportit të kompanive vendase në tregjet e huaja.
“Masa, gjithashtu, synon zhvillimin e industrisë me të integruar globalisht, përmes rritjes dhe diversifikimit të eksporteve, digjitalizimin e përshpejtuar të prodhimit dhe teknologjisë së avancuar për prodhimin e produkteve inovative dhe të gjelbra, si dhe përdorimin më të mirë të burimeve natyrore vendore dhe materialeve të ricikluara. Masa ndërlidhet me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2030, PKZH-në, Programin e Qeverisë 2021-2025 dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve KASH 2024-2026”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Por, një gjë e tillë sipas ekspertëve të ekonomisë nuk ishte e nevojshme.
“Më tepër tentohet të politizohet çdo pore, të krijohet një mundësi e re për një kontroll më të madh, dhe mbi të gjitha për punësim të militantëve. Besoj që në Kosovë nuk po krijohen agjenci për ta mbështetë zhvillimin ekonomik por vetëm për të rritur pushtetin dhe dominimin politik. E tëra kjo do të jetë edhe një tentativë për të futur nën kontroll edhe asociacionin e biznesit, sepse shumë prej bizneseve kanë një komponent të promovimit të investimeve”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.
Sipas Safet Gërxhaliut, këtë funksion deri më tani e ka kryer mjaft mirë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë me mekanizmat e saj, gjë që një agjenci e tillë vetëm sa e komplikon situatën.
“Ju e dini fare mirë që me vite ka funksioni KIESA në kuadër të MINT-it dhe në kuadër të saj kanë qenë pothuajse të gjitha gamat ekonomike, qoftë eksporti apo importi, qoftë sektorët e tjerë. Në të kaluarën kemi pasur një dialog të mirëfilltë publiko-privat, kemi pasur një dialog të mirëfilltë me të gjitha dikasteret qeveritare. Për fat të keq dialogu viteve të fundit është inekzistent”, tha Gërxhaliu.
Sidoqoftë, Qeveria në planin e hartuar, ka paraparë edhe 10 aktivitete që do të realizohen gjatë këtij viti, por edhe të tjera për vitet e ardhshme gjer në vitin 2026.





