Përgatiti: Kastriot Tahiri
Dyert qëndrojnë të hapura tërë kohën, por nga 2019-ta, përveç qenve endacakë, njerëz në të nuk u futën.
Punimet në ndërtimin e çerdhes në fshatin Deiq të Klinës, që filluan para pesë vjetëve ende nuk kanë përfunduar.
“Moti ia kanë nisë me punu. Këta duhet me punu e mos m’i lanë qentë me hi në të, po me i grah punës sa ma shpejt e me hi fëmija në të”, tha Nazmije Krasniqi, banore e fshatit Deiq.
Për shkak të ndërprerjes së punimeve, edhe materiali punues ka mbetur tash e pesë vjet brenda objektit.
“Krejt e ki të çelun, qetash ia kanë vendosë do xhama. Këtu është një katastrofë, ma mirë mos të kish nisë hiç, ma mirë mos t’kish ekzistu hiç, ma mirë ish kanë për ne ose le të punojnë e le të shtinë në punë, se përndryshe është veç tu ba pengesa”, tha Viktor Marku, banor i fshatit.
Në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Klinës, nuk e dinë arsyen pse Ministria e Arsimit i ka ndërprerë punimet për këtë çerdhe.
“Është projekt i Ministrisë, nga 2019-ta, punët e vrazhda janë krye, kanë mbetë ashtu në gjendje jo të mirë, kam shkrua e-mail, kam kërkua nga Ministria me e ditë ku ka mbetë ai projekt. Në takimin e fundit, na kanë thanë që është në procedura, por që deri më tani nuk kemi rezultat. I bëj thirrje Ministrisë së Arsimit se e dimë se në çfarë gjendje e kemi popullatën me të ardhura e që detyrohen të paguajnë në çerdhe private 120 euro”, tha Qemajl Sejdiu, drejtor i Arsimit në Komunën e Klinës
ATV-ja ka insistuar gjatë të martës të marrë një përgjigje nga Ministria e Arsimit në lidhje me arsyet e ndërprerjes së punimeve, por gjatë ditës nuk mori asnjë përgjigje.
Në Komunën e Klinës, e cila ka rreth 40 mijë banorë ka vetëm një çerdhe publike.





