Përgatiti: Nora Luta
Agim Çeku, Rrustem Berisha e Shkumbin Demalijaj do ta vazhdojnë përballjen me drejtësinë edhe një herë tjetër, rreth akuzave se jashtëligjshëm aprovuan mijëra aplikacione për njohjen e statusit të veteranëve.
Përveç tyre, edhe nëntë të akuzuarit e tjerë erdhën të martën në sallën e gjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku pas disa dështimeve u arrit të mbahet shqyrtimi fillestar.
Në rigjykim fajësinë për keqpërdorim me listat e veteranëve e mohuan 12 të akuzuarit.
Megjithatë, prokurori special, Valdet Gashi, në fjalën hyrëse tha se të akuzuarit, në bashkëkryerje, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si anëtarë të Komisionit Qeveritar, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, sipas tij, vazhdon të rritet çdo ditë.
Ndërkohë, mbrojtja e ish-ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka kontestuar kohën e kryerjes së veprës penale, siç është e përshkruar në aktakuzë.
E Shukri Buja, i cili në seancën e kaluar nuk u paraqit në seancë, e ndaj të cilit gjykata paralajmëroi urdhëresë për shoqërim, këtë herë nuk u pajtua me avokatin e caktuar nga Gjykata, meqë ai nuk e kishte përzgjedhur një.
Sipas aktakuzës, fryrja e listës së veteranëve i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 88 mijë euro, e janë rreth 19 mijë e 500 persona që pretendohet se përfituan rrejshëm statusin e veteranit.
Në vitin 2021, Gjykata i kishte liruar nga akuzat Çekun e të tjerët, por nga prilli i vitit të kaluar kur rasti u kthye në rigjykim, nuk kishte arritur të mbahet asnjë seancë deri tash.