Përgatiti: Driton Sadiku
Lista serbe të martën ndryshoi strukturën udhëheqëse të saj. Megjithatë, emrat e rinj që morën poste brenda partisë, tashmë janë të njohur në skenën politike kosovare.
Dy ish-ministra në qeveritë e kaluara në Kosovë, Ivan Todosijeviq e Dalibor Jevtiq, ky i fundit edhe ish zv/kryeministër i Qeverisë për disa vjet, morën poste drejtuese.
Jevtiq do të jetë nënkryetar i Listës Serbe, ndërkaq Todosijeviq anëtar i kryesisë. Të dy për një kohë ishin ndjekur edhe nga organet e drejtësisë në Kosovë.
Todosijeviq akuzohej për nxitje të urrejtjes, pasi mohoi masakrën e Reçakut, ndërkohë, Jevtiq ishte përballur me akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sa ishte ministër për komunitete dhe kthim.
Përveç tyre, pjesë e kryesisë janë edhe dy ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq dhe Verica Qeraniq.
Jashtë kryesisë nuk mbetën as 3 ish-kryetarë të komunave, përfshirë atë të Zveçanit, Dragisha Milloviq, Sërgjan Popoviq, ish-kryetar i Graçanicës dhe Sërgjan Vulloviq i Zubin Potokut.
Brenda kryesisë do të jenë edhe Sasha Milloshevic, ish-nënkryetar i listës serbe dhe Nemanja Bishevac (ish-Kryetar i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut).
Ndërkohë, njëra prej figurave më kryesore brenda partisë, ish-nënkryetari Igor Simiq, tashmë do të jetë vetëm zyrtar për marrëdhënie me publikun.
Ndërkohë, për atë që drejtoi këtë parti për 10 vjet rresht nuk u tha se do të marrë ndonjë post të ri. Megjithatë, me gjithë ndryshimet, vlerësohet se përsëri duhet parë ligjshmëria e veprimtarisë politike të listës serbe.
“Institucionet e Kosovës, Listën Serbe duhet të shqyrtojnë me shumë kujdes sa i përket ligjshmërisë së veprimtarisë së saj politike dhe të drejtës së saj për të garuar në zgjedhje. Shpallja e zgjedhjeve është proces që kërkon kohë. Procesi më i rëndësishëm është ai i sigurisë”, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Sipas kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, me këtë veprim Lista Serbe nuk mund ta pastrojë veten nga përgjegjësia e sulmit më Banjskë.
Ditë më para, para se ta ndërronte kryesinë, Lista Serbe tregoi gatishmëri për mbajtje të zgjedhjeve në katër komunat veriore, komuna këto që i lëshuan me dëshirë në nëntor të vitit të kaluar, kur braktisën institucionet e Kosovës.