Të paktën 30 persona janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur pasi një sulm rus goditi dy autobusë publikë në qytetin e Kramatorskut, në rajonin lindor të Donetskut, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase.
Sulmi ndodhi rreth orës 10:00, teksa autobusët po transportonin pasagjerë. Sipas autoriteteve, besohet se ata u goditën nga bomba ajrore të drejtuara me precizion të lartë.
Këshilli i Qytetit të Kramatorskut tha se transporti publik është pezulluar pas sulmit, ndërsa autoritetet vijojnë punën për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmeve.
Sulme ruse janë raportuar edhe në Kiev, ku dy persona u gjetën të vdekur pas një sulmi me dron në një ndërtesë, ndërsa dy të tjerë u plagosën. Më herët, kryebashkiaku Vitali Klitschko kishte njoftuar për një viktimë dhe 11 të plagosur në sulmet ruse.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kishte lëshuar 142 dronë gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase kishte rrëzuar ose neutralizuar 126 prej tyre.





