Kosova vazhdon të ëndërrojë për një ngjitje në elitën e Ligës së Kombeve, ndërsa dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni mund të vendosin gjithçka.
Sipas parashikimeve të publikuara nga Football Rankings, “Dardanët” kanë rreth 21.7 për qind gjasa për t’u promovuar në Ligën A. Kosova renditet e nënta mes përfaqësueseve të Ligës B sa i përket mundësive për ngjitje në nivelin më të lartë.
Megjithatë, rruga drejt Ligës A mbetet plotësisht e hapur.
Kosova e nisi aventurën në Grupin B3 me një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Republikës së Irlandës. Më pas erdhi një humbje 3-1 në transfertë ndaj Austrisë, ndërsa “Dardanët” morën dy barazime, fillimisht 0-0 me Izraelin dhe më pas 1-1 ndaj Austrisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas katër ndeshjeve, Austria kryeson grupin me tetë pikë. Kosova dhe Republika e Irlandës kanë nga pesë pikë, ndërsa Izraeli mbyll renditjen me dy pikë.
Tani, gjithçka mund të vendoset në nëntor.
Më 14 nëntor, Kosova do ta presë Izraelin, në një ndeshje ku fitorja mund të jetë vendimtare për objektivin e saj. Katër ditë më vonë, “Dardanët” do të udhëtojnë për t’u përballur me Republikën e Irlandës.
Sipas rregullave të këtij edicioni, vetëm skuadra që përfundon e para në grup siguron promovimin direkt në Ligën A. Ndërkohë, vendi i dytë ofron një tjetër mundësi, përmes “play-off”-it të promovimit.
Pra, Kosova ende e ka fatin në duart e saj. Dy ndeshje, gjashtë pikë në lojë dhe një objektiv i madh në horizont: ngjitja në Ligën A të Ligës së Kombeve.





