Përgatiti: Krenare Mulliqi
Agjendë të qartë për shtensonim të situatës në veri, paralelisht zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, ka kërkuar i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Diplomati gjerman kërkoi konstruktivitet nga Kosova dhe Serbia, teksa premtoi shtytje të re për procesin e dialogut.
“…Ne besojmë fuqimisht se nuk është ide e mirë të fokusohemi vetëm në shtensionim, ne duhet gjithashtu të përpiqemi që marrëveshja e Ohrit të zbatohet dhe të bëjmë një shtytje të mëtejshme për ta marrë përsëri rezultatin e përgjithshëm pozitiv atje. Dhe kjo është ajo që mund të prisni nga Gjermania dhe nga Bashkimi Evropian, dhe veçanërisht tani, do të përpiqemi të bëjmë një shtytje të re për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në terren nga dy palët. Andaj ne u bëjmë thirrje dy palëve që të jenë konstruktive dhe pozitive në këtë proces”, tha Sarrazin.
Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, që la të vrarë policin Afrim Bunjaku, emisari gjerman, pret që Bashkimi Evropian të bëjë përpjekje më konkrete në shërbim të dialogut.
“Dua të them ligjërisht ajo [marrëveshja] ende funksionon, por natyrisht politikisht është e qartë se ne kemi nevojë për një ripërkushtim ndaj [marrëveshjes] Ohrit dhe kjo mund të bëhet duke e zbatuar atë, duke dorëzuar një udhërrëfyes zbatimi, dhe duke ardhur hap pas hapi në ekzekutimin e [marrëveshjes] Ohrit, të themi ashtu. Mendoj se është e nevojshme të bëhet një shtysë e re dhe është e nevojshme që Bashkimi Evropian të përpiqet t’i shërbejë edhe dialogut. Sidomos pas asaj që ndodhi në Banjskë”, tha Sarrazin.
Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe në Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.